E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bulqiza e ndëshkon dy herë Partinë Demokratike

rama ne bulqize                                   Anisa Xhani

Bulqiza e përvuajtur vendosi ta ndëshkojë dy herë harresën. Bulqizakët e kanë ndëshkuar Partinë Demokratike me votë në zgjedhjet lokale dhe në ato qendrore.

Në garën për kryetar bashkie, Myfi Duriçi ka lënë pas me rreth 1600 vota kandidatin e PD-së, Femi Tançi.

Gara elektorale u bë pasi kryetari i bashkisë Bulqizë, Roland Keta, dha dorëheqjen për të kandiduar për deputet, i treti në listën e PD.

Qyteti, i cili fle mbi pasuri, ka vendosur ti japë fund pazarllëqeve dhe korrupsionit me kromin, e nxjerrë nga njerëz të bërë kurban nga nëntoka.

Duket se çdo njeri që vishet me pushtet nuk i shpëton tundimeve korruptive në qytetin minerar.

E megjithatë qytetarët bulqizakë morën frymë thellë, u çliruan dhe ndëshkuan me votë për një Rilindje , për një frymë të re për qytetin dhe qytetarët e harruar.

Sot Bulqiza feston dy herë, një Shqipëri dhe një bashki të çliruar nga pushteti familjar.

Prej kaq vitesh minatorët e Bulqizës janë përdorur si mish për top për të ngarkuar kamionët me lekë që skanë mbërritur në duart e tyre.

Ato duan që politika mos ti zhysë më nëntokë dhe ti kyçë aty, duan që ato gurë të duarve të vogla të pista, po të ndershme, ti peshojnë mirë.

Duan që ato burra pas lodhjes të mos e derdhin pikëllimin në gotën e rakisë.

Bulqiza meriton Rilindjen, meriton që sytë të kthen nga ajo. Meriton që qyteti i minatorëve të mos jetë i rrënuar nga varfëria dhe nga një infrastrukturë e harruar.

Bulqiza nuk duhet trajtuar si plaçkë që ndahet me porcione midis pushtetarëve, të cilët nëse nuk rrëmbejnë kafshatën e madhe, iu lëshon gryka ulërima.

Bulqiza duhet të jetë e qytetarëve dhe ti japë fund përdorimit të së saj nga pushtetarët.

Kjo duhet të jetë vota e qytetarëve për qytetarët.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›