E Diel, 1 Nëntor 2026

Bulqizë, Berisha: Votoni uljen e moshës së pensionit të minatorëve në 50 vjeç

BULQIZË-Partia Demokratike mbylli sot në qytezën e Bulqizës fushatën elektorale. Kryeministri Sali Berisha u kërkoi bulqizakëve të votojnë nr 44 sepse është alternativa më e mirë e mirëqënies.

Kreu i qeverisë premtoi se në 4 vitet e ardhshme do të realizojë uljen e moshës së pensionit për të gjithë minatorët.
“Votoni rritjen e punësimit, arsimimit. Në 4 vitet e ardhshme do të ketë zbritje të uljes së moshës 50 vjeç, të minatorëve të Bulqizës dhe gjithë Shqipërisë”.

Sipas kryeministrit në sajë të reformave do të bëhet e mundur që dhe rroga mesatare në vend do të bëhet në 350 dollarë.

Berisha nuk kurseu as sulmet ndaj kundërshtarit të tij në politikë, z.Edi Rama.
“Modeli ynë është sukses, arritje, ecje përpara. Modeli i Ramës është bllokim, bëri gjithçka që shqiptarët të mos merrnin viza. Modeli ynë bazohet në ndershmëri, vlerat e familjes, modeli tjetër bazohet në ndarje dhe martesa për qëllime elektorale në prag të të gjitha zgjedhjeve. Këto nuk janë vlerat familjare”,- tha ai.

Sipas kryeministrit, modeli Berisha bazohet në punën me djersën e ballit që nuk ka frikë për ato që ka dhe që ka fituar.

“Asgjë nuk i lidh socialistët shqiptarë me modelin e Ramës, të fshehjes së pasurisë, të mosdeklarimit të të ardhurave. Votoni integrimin në BE, mirëqënien, ecjen përpara, Rrugën e Arbrit”,- tha Berisha.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›