Bulqizë, asfiksohen nga gazi dy minatorë

Problemet nuk kanë të sosur për minatorët e Bulqizës. Dy minatorë të nivelit të 13 të galerisë kanë mbetur të asfiksuar gjatë paraditës së sotme gjatë procesit të punës. Si pasojë e çlirimit të gazit në thellësitë e minierës dy minatorët kanë mbetur të asfiksuar duke rrezikuar edhe jetën e tyre.
Mësohet se minatorët Destan Kola 47 vjeç dhe Imer Konesha 57 vjeç janë dërguar me urgjencë nga kolegët e tyre në spitalin e Bulqizës, ku po marrin edhe ndihmën e parë mjekësore. Sipas të dhënave, mësohet se minatorët e asfiksuar ndodhen në gjendje të rëndë nga gazi helmues. Punonjësit e tjerë shprehen se ky nivel është nën administrimin e kompanisë koncesionare ACR, ndërsa thonë se ngjarja ka ndodhur për shkak të mungesës së sigurisë teknike në minierën e kromit.
Sipas tyre, përfaqësuest të sigurimit teknik duhet të masnin gazin para se të nisë puna, proces ky që nuk është kryer gjatë kohëve të fundit. Një tjetër ngjarje me pasojë vdekjen e një minatori dhe plagosjen e 9 të tjerëve është regjistruar në tetor të 2011-ës ku si pasojë e shpërthimit me gaz metan humbi jetën minatori Naim Shyti. Minatorët kanë bërë për rreth tre muaj grevë dhe protesta për përmirësimin e kushteve të punës ndërsa kompania ACR ra dakord që ta përmbushte këtë kusht bashkë më disa kërkesa të tjera si rritja e pagës, rroga e 13-të etj.