E Diel, 1 Nëntor 2026

Bulqizë, minatorët në protestë: Asnjë marrëveshje pa Konfederatën

BULQIZE-Minatorët minierës së Bulqizës janë grumbulluar që prej orës 07:00 të mëngjesit të sotëm para minierës së kromit dhe refuzojnë të nisin punën. Kreu i konfederatës së sindikatave të minatorëve, Kol Nikollaj deklaron se vetë ai nuk është lejuar të hyjë në ambientet e ACR, ndërsa ka një prani të madhe të forca të policisë.

Minatorët ndërprenë të shtunën grevën e urisë 27 ditëshe në nivelin e 14-të të nëntokës duke zbatuar vendimin e gjykatës së Dibrës.

Në Bulqizë ndodhet dhe administratori Giga Bedineishvil i cili i ka informuar minatorët se është gati të zhvillojë një takim me një përfaqësi prej 10 minatorësh, dhe të plotësojë kërkesat për rritje të pagës bruto 20%, transparencë në investime dhe shtim të sigurisë në punë. Por administratori i ACR vendos kusht që ky takim të zhvillohet pa praninë e Kol Nikollajt.

Minatorët nuk pranojnë, ata deklarojnë se nuk do të nënshkruajnë asnjë marrëveshje pa praninë e kreut të Konfederatës. Deri në orën 12:00 gati 700 minatorë vazhdojnë të jenë përpara godinës së administratës së ACR duke thirrur “duam të drejtat tona”

Përfaqësuesit e ACR ndodhen në godinën e tyre e cila ruhet me forca të shumta policie. NEWS24 raporton se ata nuk kanë dalë ende me një vendim nëse pranojnë të zhvillojnë takim me minatorët në kushtet e këtyre të fundit.

Po dje policia shoqëroi në komisariat  Dilevar Përkoxhën, kryetar i sindikatës së minatorëve Bulqizë dhe Luan Nikën, kryetar i grevës së urisë. Sipas policisë ata u shoqëruan për shkak të bllokimit të aksit nacional Tiranë- Peshkopi, te Qafa e Buallit. Pasi kanë dhënë shpjegimet e tyre dy minatorët janë larguar.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›