E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bumci Rama i vetmi kryetar opozite qe pengon integrimin

Pas prezantimit të programit politik për politikën e Jashtme të Partisë Socialiste, ka ardhur reagimi i qeverisë. Për ministrin e Jashtëm Aldo Bumçi, Edi Rama është i vetmi kryetar opozite, i cili për përfitime politike personale ka ndjekur një taktikë bllokuese në proceset integruese euroatlantike të vendit.
"Sot Edi Rama na shfaqi vizionin e tij për politikën e jashtme të vendit. Dhe sot, zoti Rama paraqiti të tjera shpikje nga selia ‘mavi’, sikur ai do të mbështesë anëtarësimin tonë në NATO dhe integrimin në BE. Z. Rama, i vlerësojmë fjalët e bukura, por më bukur flasin veprat. Por, zoti Rama, a e di ti, se ti je i vetmi kryetar opozite i një vendi tashmë anëtar të NATO-s, ku të ankoroi kjo qeveri, që pengon integrimin e vendit në BE? A di ti, se je i vetmi kryetar opozite, që ka bllokuar dhe bërë lloj-lloj akrobacish për të penguar liberalizimin e vizave për shqiptarët? A e di ti, se je i vetmi kryetar opozite, që ka anatemuar dhe përbaltur ‘Rrugën e Kombit”? Dhe sot, vazhdon të jesh i vetmi kryetar opozite që për hir të interesit të ngushtë personal politik, vazhdon të bllokosh e të mbash peng miratimin e 3 ligjeve për marrjen e statusit të vendit kandidat", deklaroi Ministri i Jashtëm. 
Sipas tij, Rama paragjykohet dhe në Kosovë prej bojkotit që i ka bërë integrimit të vendit. 
“Sot, Rama na tregoi qartazi se ai ndihet i kompleksuar. Na sqaroi se ai ndihet i paragjykuar në Kosovë. 
Ndoshta z. Rama paragjykohet sot në Kosove prej bojkotit, grevës së urisë, protestave të dhunshme dhe agresionin ndaj institucioneve demokratike. Ndoshta, ai paragjykohet për bllokimin që i bën integrimin Europian të vendit. Ndoshta ai paragjykohet sot, pasi del dhe me deklarata për "miqësi të mirë" me Kosovën, ndërkohë që shqiptarët këndej dhe andej kufirit janë vëllezër, shumë më shumë sesa “miqësia e re” që dashka të na ndërtojë z. Rama. Ne do të realizojmë ëndrrën e shqiptarëve për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian, ashtu siç realizuam anëtarësimin në NATO, dhe liberalizimin e vizave me Bashkimin Europian. Meqë zoti Rama zgjedh të kundërshtojë e anatemojë këto angazhime, le të mos ia vëmë atij veshim, por të ecim së bashku përpara”, u shpreh Bumçi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›