Bumçi i përgjigjet Ramës: Je i kompleksuar se në Kosovë nuk të duan, por nuk mund të krijosh një miqësi të re
Aldo Bumçi, tashmë ministër i Jashtëm, ka reaguar ndaj deklaratave të kreut socialist, Edi Rama, i cili pohoi se PS do të lobojë më fort për njohjen e Kosovës, kur të vijë në pushtet. Bumçi ka thënë se Rama nuk mund të flasë për miqësi të re, pasi në Kosovë nuk e duan për shkak të bllokimit që sipas Bumçit i ka bërë vendit.
Sot Edi Rama na shfaqi vizionin e tij për politikën e jashtme të vendit. Dhe sot, zoti Rama paraqiti të tjera shpikje nga selia mavi, sikur ai do të mbështesë anëtarësimin tonë në NATO dhe integrimin në BE. Z. Rama, i vlerësojmë fjalët e bukura, por më bukur flasin veprat. Por, zoti Rama, a e di ti, se ti je i vetmi kryetar opozite i një vendi tashmë anëtar të NATO-s, ku të ankoroi kjo qeveri, që pengon integrimin e vendit në BE? A di ti, se je i vetmi kryetar opozite, që ka bllokuar dhe bërë lloj-lloj akrobacish për të penguar liberalizimin e vizave për shqiptarët? A e di ti, se je i vetmi kryetar opozite, që ka anatemuar dhe përbaltur Rrugën e Kombit? Dhe sot, vazhdon të jesh i vetmi kryetar opozite që për hir të interesit të ngushtë personal politik, vazhdon të bllokosh e të mbash peng miratimin e 3 ligjeve për marrjen e statusit të vendit kandidat
Sot Rama na tregoi qartazi se ai ndihet i kompleksuar. Na sqaroi se ai ndihet i paragjykuar në Kosovë. Ndoshta z. Rama paragjykohet sot në Kosove prej bojkotit, grevës së urisë, protestave të dhunshme dhe agresionin ndaj institucioneve demokratike. Ndoshta, ai paragjykohet për bllokimin që i bën integrimin Europian të vendit. Ndoshta ai paragjykohet sot, pasi del dhe me deklarata për miqësi të mirë me Kosovën, ndërkohë që shqiptarët këndej dhe andej kufirit janë vëllezër, shumë më shumë sesa miqësia e re që dashka të na ndërtojë z. Rama thuhet në një deklaratë të Bumçit./b.l