Bumerangu i “merimangave” të bllokimit
Neobllokmenët, këto “merimanga” të bllokimit, edhe në të ardhmen shpresojnë të thurin rrjeta për të penguar integrimin e Shqipërísë. Ato po përpiqen të përfitojnë nga toleranca e demokracísë për të “ringjallur” epokën e privilegjeve të tyre të pamerituara. Ndoshta prandaj dhe izolimin e ri të Shqipërísë po e shpallin si Rilindje të saj. Por “merimangat” socialiste nuk qenë kaq agresive, qysh kur populli u grisi rrjetën e kurtheve të tyre mizore! Se, të terrorizuara nga uragani i zemërimit popullor, ato u strukën nëpër tavane të errëta bunkerësh, që t’i shpëtonin turpit për mëkatet e etërve të tyre. Ndoshta dhe ngaqë, të brumosura me “virtytin” e pabesísë, po u dukej taní edhe ferra Ibrahim. Apo ngaqë e shihnin me dyshim edhe humanizmin e Perëndimit, edhe mirësínë e tekskajshme të popullit, që prindërit e tyre kishin masakruar. Se, me të dalluar që nuk po i ndiqte kush dhe askush nuk po mendonte t’i persekutonte ; me të parë që dhe viktimat e gjenocidit të tyre, ia kishin dhuruar demokracísë dhimbjen e vet, “merimangat” vrapuan nëpër Botë të mësonin atje ndonjë “dobësí” të demokracive të vërteta për të nanuritur pastaj shpresat e veta për rikthimin në pushtetin e “dajakut”. Por, që të prezantoheshin si “liberale” e “proeuropiane”, si misionare të përparímit, shumë prej tyre aderuan në repartin e kameleonëve politikë, i cili dinte të shtirej dhe si antikomunist. Se ky repart, jo vetëm përbëhej nga mëkatarë të privilegjuar prej torturimit të tre milionë skllevërve të komunizmit, por qe dhe i armatosur me arrogancën e terrorit të pashembullt të diktaturës. Megjithatë, trashëgimtarët e krimit komunist, të trembur deri në palcë, nuk guxuan qysh heret të silleshin si pronarë të demokracísë, si fitimtarë të përjetshëm të saj, ndonëse nuk e pranuan që në krye barazimin e tyre me viktimat para ligjit. Ndaj, të shkolluara taní në Perëndim, nisën të mbroheshin duke deformuar me dinakëri ajkën e parimeve të demokracive liberale. Pastaj nisën ta luftonin pluralizmin duke u shtirur si mbrojtëse të flakta të parimeve të shenjta të liríve dhe të të drejtave qytetare. Dhe nuk e patën vështirë të gjenin “anarkistë” e “reformatorë” hipokritë, drejtues ekstremisht ambiciozë për pushtet të pamerituar, me të cilët nisën të realizonin “platformën” e tyre të mohimit, të bojkotit e bllokimit dhe, mbi të gjitha, të izolimit të Shqipërísë nga Bota e qytetëruar. Por, të ndodhur para një ëndrre të fuqishme mbarëpopullore proeuropiane, “merimangave” të izolimit hoxhist filluan t’u dilnin vështirësi. Ndaj shpejtuan të rrëmbenin flamurin e integrimit pikërisht për të penguar vetë integrimin, d.m.th. marrjen e statusit kandidat. Dhe u kapën si rrodhet pas votës së lirë për të kundërshtuar çdo fitore të demokracisë, ashtu si nisën të mohonin çdo progres të saj duke dhënë alarmin e një fukarallëku të frikshëm për të diskredituar kështu sistemin e ri. Shpallën pastaj si “forcë zhvillimi” korrupsionin për ta ndotur demokracinë, pa harruar të përfitonin nga “parimi” pervers i pandëshkueshmërísë. Dhe, kur e panë që përsërí po dështonin, dolën haptas kundër integrimit duke shfrytëzuar “nevojën” e votës së tyre, që i duhej Shqipërísë për të plotësuar kushtet e vëna nga qytetërími. Dhe ngritën rrjeta të reja izolimi me anë pretekstesh qesharake. Kësaj aventure i hynë duke menduar se e kishin elektoratin me vete. Por dhe duke shpresuar se ia kishin bllokuar atij tashmë edhe mendjen, edhe shpirtin. Se me izolimin 50 vjeçar dhe terrorizimin diktatorial e kishin katandisur popullin sa të kish frikë taní edhe nga drita. Bilé, mendonin se dhe e kishin poshtëruar atë, sa të ndihej i turpëruar në dritën e lirísë. Shpresonin, pra, që shqiptari nuk mund t’i kish shpëtuar trysnisë së egër të një sistemi, që “porosiste” njerëzit të ishin vigjilent edhe ndaj njëri-tjetrit. (!) Mendonin se nuk mund t’i kishte shpëtuar ky popull autocensurës, kur “merimanga e zezë” (Enver hoxha) rekomandonte edhe temat e bisedave, që duhej të zhvillonin në kafené ministrat e tij ; kur të gjithë duhej të ndiheshin si brenda një burgu të madh, ngaqë nuk u lejohej të bisedonin për çdo gjë e të shoqëroheshin me këdo ; të lexonin çdo libër, të këndonin çdo këngë ; të visheshin e të qetheshin si të donin, apo të komunikonin me të afërm, emigrantë të hershëm ekonomikë në Perëndim. Se, si mund t’i kishte shpëtuar populli asimilimit regresiv të një sistemi që ta merrte si kundërvënie të hapur, edhe po të shoqëroje kortezhin mortor të një kulaku? Etj, etj. Ndaj “merimangat” e bllokimit mendojnë edhe sot se izolimin e Shqipërísë do të mund ta realizojnë përfundimisht! Të gjorat! Kanë harruar se shqiptarët janë europianë në ADN-në e tyre. Se ata nuk kanë mundur t’i izolonin as perandoritë pushtuese. Se shqiptarët, të lindur bashkë me lirinë, kanë luftuar edhe për hapjen, çlirimin e popujve të tjerë. Se në shekuj ata kanë qenë të njohur për respektimin e të drejtave të tjetrit. Se qysh në lashtësí ata u kanë dhënë lirínë edhe robërve të tyre të luftës. Se, bile, edhe haraçin ua kanë “dorëzuar” pushtuesve si t’i hidhnin një copë bukë qenit! Mirpo megalomania arrogante neobllokmene ka harruar se, me bllokimin e integrimit të popullit, ka garantuar vetëm fundin e saj të turpshëm. Se çdo tentativë për izolimin e vendit të shqiponjave u garanton atyre vetëm fundin fatal politik në zgjedhjet e ardhshme! Se dhe vetë elektorati i tyre ka mbetur i zhgënjyer nga bllokimi, që këto “merimanga” i bënë integrimit të vendit! Se dhe gjithë qytetërími dashamirës ka mbetur i hutuar me guximin antishqiptar të këtyre pinjojve mëkatarësh, të cilët lypsej të kishin shprehur vazhdimisht vetëm pendesë të thellë! Sepse dihet që, kush dëmton popullin, ka ndëshkuar politikisht veten e vet!
...