E Diel, 1 Nëntor 2026

Statusi për Shqipërinë pasi të jenë miratuar 3 ligjet e rekomanduara

15-12-2012 / Gazeta 55

“Shqipëria do ta marrë statusin e vendit kandidat sapo të miratojë tri ligjet me shumicë të cilësuar”. Ky është konkluzioni i ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian, të mbledhur për dy ditë në Bruksel, ndërsa sot pritet të mblidhet Këshilli i Ministrave të BE-së, i cili do të miratojë paketën përfundimtare të propozimeve të Komisionit Evropian

Fyle: Udhëheqësit politikë, të paaftë për të vënë integrimin në krye të axhendave të tyre politike

Bashkimi Evropian bën thirrje për bashkëpunim mes mazhorancës dhe opozitës, me qëllim përmbushjen e rekomandimeve të KE. Mungesa e dialogut politik ka penalizuar Shqipërinë, thonë eurodeputetët dhe ministrat e Jashtëm të BE, të cilët ripërsërisin se 3 ligjet mbeten të vetmet kushte për të marrë statusin e vendit kandidat, ndërsa zgjedhjet mbeten një test i mëtejshëm për funksionimin e institucioneve demokratike. “Rezoluta vlerëson përpjekjet që janë bërë deri këtu, por tërheq vëmendjen, se axhenda evropiane nuk duhet të jetë selektive, por duhet të ndërtohet mbi një bazë të shëndoshë dhe të qëndrueshme. Ne kemi ende shqetësime për këtë”, u shpreh eurodeputeti Kukan. “Dëshiroj t’i bëj thirrje miqve shqiptare, si në qeveri dhe në opozitë që të vijojnë në këtë rrugë, pasi pa bashkëpunim nuk do të ketë progres të mëtejshëm në çështjet e përmendura nga presidenca dhe Komisioneri”, vlerësoi eurodeputeti Libor Rouçek.
Por duke pritur votimin e këtyre ligjeve në Shqipëri, Brukseli rikujton se në qershor vendi ka edhe një test tjetër për të kaluar. “Ne të gjithë e dimë se shpesh zgjedhjet në Shqipëri kanë qenë të kontestuara. Zhvillimi i suksesshëm i zgjedhjeve në qershor të vitit të ardhshëm do të jetë thelbësor për të dëshmuar angazhimin e të gjitha partive politike shqiptare ndaj reformës zgjedhore. Ky përbën një test thelbësor për mirëfunksionimin e institucioneve demokratike të vendit”, deklaroi pas takimit të ministrave të Jashtëm të BE, kryediplomatja qipriote, Erato Kozakou-Marcoullis.
Nga ana e tij, Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle u shpreh qartë se ne kemi rekomanduar statusin e vendit kandidat për Shqipërinë të kushtëzuar me ligjin në fushën e drejtësi, të administratës publike dhe përmbylljen e rregullores së Kuvendit. “Fatkeqësisht, udhëheqësit politikë të vendit nuk ishin gjithnjë të aftë të vënë vijimësisht integrimin në krye të axhendave të tyre politike dhe nuk patën gjithnjë vullnetin për të bërë kompromiset e duhura politike për mbështetjen ndërpartiake që kërkojnë dukshëm reformat thelbësore. Kushtet e nevojshme janë ende aty prandaj duhet të vazhdojmë të inkurajojmë miqtë shqiptarë në Qeveri dhe në opozitë që të fokusohen mbi procesin e integrimit evropian”, deklaroi Komisioneri për Zgjerimin në BE, Stefan Fyle. Pas takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së, pritet që gjatë ditës së nesërme stafeta vendimmarrëse t’i lihet Këshillit të Ministrave të BE-së, i cili do të miratojë edhe paketën përfundimtare, rreth propozimeve të Komisionit Evropian.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›