E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bundesliga- Bajerni i Mynihut

Një gol i vetëm i shënuar nga Arjen Roben, i dha fitoren skuadrës rekordmene të titujve në ndeshjen e luajtur në Nyremberg për javën e 28-të të Bundesligës. Bajerni fitoi 1-0, por u desh që të priste për 70 minuta para sesa holandezi të tundte rrjetën e vendasve.

Në një përballje ku skuadra e Jup Hajnkesit nuk ishte aq superiore sa është mësuar të jetë, gjithsesi, përvoja dhe cilësia vendosën në favor të saj. Me këtë fitore, Bajern afrohet në vetëm 3 pikë largësi nga kreu i kampionatit, që mbahet nga Dortmundi. Kampionët e Gjermanisë barazuan në mënyrë spektakolare 4-4 në fushën e tyre ndaj Shtugartit, në ndeshjen e së premtes.

Në takimet e tjerë të drekës në Bundesligë, bien në sy fitoret jashtë fushe të Frajburgut dhe Maincit. i pari fitoi 2-0 në fushën e Leverkusenit që po kalon nga njëra humbje tek tjetra, ndërsa Mainci fitoi thellë, 3-0, në stadiumin e Verderit.

Po jashtë fushe fitoi edhe Hamburgu që mundi 1-0 Kaizerslauternin, ndërsa e vetmja fitore vendase u arrit nga Augsburgu që theu 2-1 Këlnin, me të gjithë golat shënuar në pjesën e parë.

Dortmund kryeson kampionatin me 63 pikë, Bajerni ka 60, Shalke i ndjek me 53 dhe Mynshengladbah ka 51 pikë. Dy skuadrat e fundit do të luajnë të dielën.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›