Superliga shqiptare Bylis fitoi 1-0 ndaj Tiranes

Goli i vetëm i takimit u shënua nga Teqja, që në minutën e 11-të, pas një gjuajtje nga jashtë zone, ndërsa terreni aspak i përshtatshëm për të luajtur futboll ndihmoi kryesisht vendasit. Kjo, pasi Bylisi ka një nivel më të ulët teknik sesa Tirana dhe sepse e njeh më mirë fushën e stadiumit të tij. Gjithsesi, bardheblutë humbën në një fushë ku kanë luajtur edhe rivalët e tjerë të kampionatit.
Tirana u përpoq shumë sidomos në pjesën e dytë, edhe pse mbeti me 10 lojtarë pas daljes me karton të kuq të Dushkut, pas dy të verdhave. Inferioriteti numerik nuk i pengoi 24 herë kampionët që të rrezikonin, duke humbur një rast të sigurt goli 2 minuta para fundit me anë të Morinës. Pasi u zbulua bukur me topin e marrë nga Aziri, sulmuesi gjuajti, por portieri Frashëri bëri mrekullinë.
Më në fund, Tirana e shënoi golin, këtë herë në minutën e dytë shtesë dhe autor ishte Morina, por gjyqtari e anuloi për pozicion jashtë loje. Pamjet e përsëritura me ngadalësim tregojnë se anësori thuajse me siguri të plotë pati të drejtë, veçse sinjalizimi erdhi vonë.
Kjo humbje e mban Tiranën në vendin e dytë, 1 pikë pas Skënderbeut kryeses dhe me pikë të barbarta, 40, me Teutën.