Bundesliga, Bayern prish “magjinë” e Gladbah

Pas më shumë se dy vitesh Bayern rikthehet tek fitorja në Gladbah, atje ku vendasit u kishin shkaktuar disfata të rënda bavarezëve në vitet e fundit. Edhe pasditja e sotme u duk si njëra prej atyre ku ndeshjen do ta bënte Bayern-i, por rezultatin do ta merrte Borussia.
Por nuk ndodhi kështu edhe pse vendasit arritën që të mbyllnin në avantazh pjesën e parë duke ndëshkuar Ulreich-in në të vetmin aksion të krijuar në gjysëmfushën e miqve. Itakura ndëshkoi kampionët e Gjermanisë me një goditje të bukur me kokë duke përfituar maksimalisht nga një devijim i topit nga ana e Wober.
Në fraksionin e dytë Bayern-i ishte më i vendosur për të fituar duke detyruar vendasit që të luanin për pjesë të gjata loje nën trysni. Në të 58’ Kimmich “peshkoi” mjaft mirë në zonë Sane, i cili me të majtën mposhti portierin vendas. Kaluan pak minuta dhe Thomas Tuchel u dha një sinjal të fortë të tijve duke bërë disa zëvendësime. Golin e fitores Bayern-i do ta gjente tre minuta nga fundi i kohës së rregullt me anë të talentit francez Tel. 18-vjeçari gjeti kohën e duhur për të kërcyer pas një goditje këndi po të Kimmich duke mposhtur me kokë portierin vendas Nicolas.
Me këtë fitore Bayern shkon me pikë të plota drejt pushimit të kombëtareve. Pas dy javësh Bundesliga rinis me një ndeshje për të mos u humbur pasi rivalja e radhës e formacionit Bavarez do të jetë pikërisht Leverkusen. Skuadra e Alonso-s ashtu si Bayern numëron tre fitore në po kaq takime në Bundesigë.