Burg përjetë për Viktor Gushin, vrau në grabitje dy persona
Super hajdutit Viktor Gushi i cili kreu më shumë se 18 grabitje ne kryeqytet në banka dhe argjendari të ndryshme, e që jetonte me paratë e vjedhura, duket se do të mbetet në burg përjetë. Në seancën e parafundit të gjykimit të hajdutit që gjatë grabitjeve të kryera në dy biznese u mori jetën shtetasve Leonora Kaloçit dhe argjendarit Rrapo Sinanaj, Prokuroria ka kërkuar dje burgim të përjetshëm për super grabitësin e bankave Viktor Gushi, mbi të cilin rëndojnë gjithsej 18 akuza, nga të cilat 2 raste për Vjedhje me pasojë vdekjen, tetë raste për vjedhje me armë, pesë raste për vjedhje me armë në tentativë, tre raste për plagosje e rëndë me dashje dhe mbajtje pa leje e armëve dhe municionit luftarak. Viktor Gushi, akuzohet për vrasjen e argjendarit Rrapo Sinanaj në 2011 dhe një vit më vonë ai ekzekutoi edhe arkëtaren e një banke në Tiranë.
Pretenca
Në pretencën e prokurorisë, të gjitha provat e disponuara tregojnë se vrasjet janë kryer nga Gushi, madje në një prej seancave ai vetë ka pranuar se i ka kryer vrasjet për të përvetësuar pasuritë e tyre, që më pas i përdorte për të jetuar dhe për ti shpenzuar në kazino. Gjatë seancës së djeshme trupi gjykues i ka dhënë kohë avokates Vjollca Pustina për të përgatitur mbrojtjen, ndërkohë që seanca e radhës u caktua për në datën 9 shtator, kur do të jepet verdikti përfundimtar për Viktor Gushin. Gjatë seancave të mëparshme gjyqësore, Viktor Gushi është shprehur i penduar, madje dhe u ka kërkuar falje familjeve të personave që ka vrarë.
Gushi letër pendesë në gjykatë
Në seancën e mëparshme super hajduti Viktor Gushi, i ka kërkuar falje gjatë rrëfimit të tij në gjykatë, ndërsa ka theksuar se gjithçka e ka kryer në momente të vështira ekonomike pasi ai nuk kishte asnjë të ardhur , familja e kishte braktisur dhe askush nuk e merrte në punë. Madje pala mbrojtëse lexoi në gjykatë edhe deklaratën e pendesës së të pandehurit Viktor Gushi, ku citohej: U kërkoj ndjesë publike familjeve, të cilat sot kur unë po gjykohem, nuk kanë një nga familjarët, që unë padrejtësisht i kam marrë jetën. Përveç pendimit që kam shprehur në momentin e parë, brenga ime vazhdon të më shqetësojë dhe në të njëjtën kohë të më vrasë edhe ndërgjegjja, pasi i kam marrë jetën në mënyrë të padrejtë njërit prej familjarëve të personave që ndodhen sot (dje) këtu. Por, e gjitha kjo ka ardhur, pasi jeta ime e mëparshme ka qenë jo e mirë. Jeta ime ka qenë e stresuar, gjë që ka ndikuar në formimin tim.