Xhamia e Namazagjasë, propozohet ndryshimi i projektit, te P. Kulturës
Ambientalistët hedhin një tjetër alternativë për ndërtimin e Xhamisë, jo te Parlamenti por te TOB
Xhamia e Namazgjasë mund të ndërtohet në sheshin mbrapa Pallatit të Kulturës në Tiranë. Për momentin kjo është thjesht një ide e propozuar dje nga një grup ambientalistësh të cilët kanë kundërshtuar forcërisht ngritjen e qendrave tregtare në afërsi të xhamisë.
Takimi
Dje ambientalistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile janë takuar me përfaqësues të Komunitetit Mysliman për të kërkuar rishikimin e projektit të ndërtimit të xhamisë së Namazgjasë pranë Parlamentit, bashkë me të cilën është planifikuar dhe ndërtimi i dy kullave, që do të shërbejnë si qendër tregtare. Ata nuk pranojnë që aty ka ndërtime të tjera biznesi, por thonë që ne kemi të bëjmë vetëm me ndërtimin e një xhamie. Ne mbrojmë hapësirën e fundit publike të gjelbër që është ngritur bashkë me qytetin e Tiranës”, thotë Sazan Guri, ambientalist.
Alternativa
Duke iu drejtuar vendimmarrësve lokalë dhe atyre qendrorë, ambientalistët thonë se kryeqyteti nuk pranon më asnjë metër kub ndërtim ndërsa hedhin idenë e ndërtimit të xhamisë në ambientet pas Pallatit të Kulturës apo bulevardit të ri. Nuk pranojmë asnjë metër kub ndërtim. I bëjmë thirrje Komunitetin Mysliman dhe të shohë si alternativë ndërtimin e xhamisë prapa Pallatit të Kulturës, ose te bulevardi i ri”, tha më tej Guri.
Peticioni
Përmes një peticioni drejtuar krerëve të institucioneve më të rëndësishme të vendit, 23 përfaqësues të shoqërisë civile, pedagogë e studentë kërkojnë anulimin e lejes zhvillimore të dhënë nga Këshillit Kombëtar i Territorit për ndërtimin e xhamisë së Namazgjasë dhe ndërprerjen e menjëhershme të punimeve, ndaljen e prerjes së pemëve dhe zaptimin e trotuareve publikë nga kompania e ndërtimit.