Burg të përjetshëm, u përpoq të ikte prej burgut grek

Është akuzuar për trafik lëndësh narkotike dhe për këtë vepër penale është dënuar me burgim të përjetshëm. Për të vuajtur dënimin deri në fund të jetës së tij, një djalë 29 vjeçar shqiptar është dërguar në burgun e sigurisë së lartë të Dhomokosë, rajoni i Lamias, Greqi.
I ndodhur në një situatë që nuk arrinte dot ta suportonte, i riu shqiptar së bashku me një djalë tjetër, pesë vjet më i vogël, kanë vendosur të marrin arratinë nga burgu ku ndodheshin të dy në një qeli.
Natën duke gdhirë dita e diel, 29 vjeçari së bashku me djalin tjetër, 24 vjeç, kanë arritur të dalin nga qelia e tyre dhe më tej edhe nga ambientet e brendshme të burgut duke arritur të dalin në zonën e jashtme të rrethuar.
Pikërisht teksa gjendeshin jo larg portës dalëse, dy djemtë janë pikasur nga disa roje të cilët megjithë motin e keq me shi të rrëmbyeshëm arritën të dallojnë dy të burgosurit që po merrnin arratinë.
Dy djemtë janë kapur dhe prangosur e dërguar më tej në qeli izolimi, raporton noa.
Autoritetet e burgut thanë se po hetojnë mbi mënyrën si arritën të dalin nga mjediset e brendshme të këtij burgu të sigurisë së lartë, dy të rinjtë shqiptarë.
29 vjeçari ishte dënuar me burgim të përjetshëm për trafik droge kurse djali 24 vjeçar me 15 vjet heqje lirie për vjedhje.
Në vendet e Europës nuk aplikohet dënim kapital, me burgim të përjetshëm për trafik droge, kurse në Greqi, shtet anëtar i BE, shumë shqiptarë janë ankuar në vite se janë dënuar me burgim përjetë për trafik droge, duke u përballur me dënimin e ashtuquajtur 101 vjet burgim./Indeksonline/