E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani dekoroi Haradinajn me Urdhrin “Skënderbeu”

Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani priti sot në një takim udhëheqësin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ish-Kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj, pas vendimit të Gjykatës së Hagës dhe lirimit nga akuzat.

Presidenti Nishani vlerësoi maksimalisht kontributin e Haradinaj si luftëtar, në drejtimin e njësive të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës për çlirimin e saj; rolin e tij si politikan në ndërtimin e institucioneve demokratike të shtetit të Kosovës si dhe vendosmërinë dhe ndershmërinë në përballjen dinjitoze me drejtësinë ndërkombëtare, e cila dha një ndihmesë të çmuar në imazhin e vërtetë të luftës çlirimtare të popullit të Kosovës të mbështetur nga partnerët ndërkombëtarë, pasi ishte një luftë e drejtë për liri.

Ai e cilësoi përballjen dinjitoze të Ramush Haradinaj në Gjykatën e Hagës si ngritje në dinjitetin e merituar të luftës së UÇK-së dhe vijim të rezistencës dhe sakrificës së qytetarëve të Kosovës që ranë për idealin më të lartë të kombit, lirinë.

Ish-Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e siguroi Presidentin se do të vazhdojë të kontribuojë me konstruktivitet në politikën e Kosovës për të ecur përpara për ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe integrimin euroatlantik.

Presidenti Nishani nderoi me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” komandantin legjendar të UÇK-së, ish-kryeministrin Ramush Haradinaj, me motivacionin: “Për merita të shquara dhe kontribut të jashtëzakonshëm në organizimin dhe udhëheqjen e spikatur të qëndresës së pashembullt e luftës legjendare të njësive të Ushtrisë për Çlirimin e Kosovës për mbrojtjen dhe shpëtimin e jetëve e të pasurive të popullatës civile shqiptare e të integritetit territorial të trojeve shqiptare dhe për çlirimin e plotë të Kosovës”.

Berisha: Burgimi i Haradinajt, politik

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj po zhvillon një vizitë në Tiranë, vetëm pak ditë pas lirimit nga Gjykata e Hagës, e cila e shpalli atë të pafajshëm.

Në një konferencë të përbashkët të Haradinajt me Kryeministrin Sali Berisha, ky i fundit e konsideroi vizitën si një ngjarje të rëndësishme në 100-vjetorin e krijimit të shtetit shqiptar, sikurse theksoi se vendimi i Gjykatës së Hagës ishte një lajm shumë i mirë për të gjithë ne.

"Nuk kam pasur asnjë dyshim për pafajësinë e Haradinajt, burgimi i tij ishte vetëm për motive politike. Haga e shpalli dy herë të pafajshëm Haradinajn dhe i cilësoi të paqena akuzat ndaj tij", u shpreh Berisha.

Nga ana e tij, Haradinaj shprehu kënaqësinë e madhe për zhvillimin e vizitës së tij në Tiranë.

Kryeministri shqiptar dhe kryetari i AAK-së iu përgjigjën interesimit të gazetarëve për dhënien e shtetësisë shqiptare, për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë, duke e cilësuar vendimin si zbatim i një të drejte të munguar për qytetarët.

Kryeministri Berisha nënvizoi se vendimi për dhënien e shtetësisë shqiptare do të miratohet gjatë kësaj jave nga qeveria, në përputhje me ligjin ekzistues.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›