E Diel, 1 Nëntor 2026

Burgaj akuza policëve: Jeni të mefshtë, do tiu ndëshkoj

hysni burgajLezhë/Tranzicioni politik nuk duhet të ndikojë tek rendi, kohët e fundit kam vënë re pasiguri, neglizhim dhe mefshtësi nga forcat policore, ndaj ju them që duhet të mobilizoheni pasi për të gjithë policët që nuk kryejnë detyrën do të ketë ndëshkime. Kjo ka qenë kryefjala e takimit që kreu i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj, organizoi ditën e djeshme më të gjithë vartësit e tij në veri të vendit. Situata e përkeqësuar e rendit dhe sigurisë, nga aksidentet, grabitjet, vrasjet në familje për gjakmarrje, apo për motive të tjera kanë çuar dje në Lezhë drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Kritikat
I shoqëruar edhe nga drejtues të tjerë të policisë, Hysni Burgaj ka thirrur në një mbledhje urgjente drejtorët e policive të qarqeve Lezhë, Shkodër dhe Kukës, ku janë shënuar më shumë ngjarje javët e fundit si dhe shefat e komisariateve dhe njësive rrugore. Me tone tepër të ashpra Burgaj ka kritikuar forcat blu dhe ka theksuar nevojën e analizimit të situatës për të gjitha ngjarjet e rënda të ndodhura kohët e fundit. Ai gjithashtu paralajmëroi masa ndëshkuese ndaj drejtuesve që neglizhojnë detyrën, si edhe urdhëroi pezullimin e lejeve të verës për një pjesë të madhe të policëve.
Krimet
Gjithashtu kryepolici u kërkoi llogari për hetimet e kryera vartësve në lidhje me grabitjet e Pukës, Rrëshenit, vrasjen e Tales në Lezhë dhe të tjera ngjarje. Mësohet se Burgaj ka paralajmëruar kryepolicët e qarqeve dhe vartësit e tyre për situatën e krijuar nga grabitësit në akset kombëtare, si plagosja e 5 personave në Pukë dhe sulmi ndaj shqiptarëve të Malit të Zi në Rrëshen. Madje Burgaj ka përmendur edhe fjalë të tilla, duke e përshkruar situatën si të papranueshme dhe mefshtësi e policisë. Në përfundim të analizës dhe fjalës së tij, ai ka kërkuar në mungesë të rezultateve, ndëshkim të policëve përgjegjës për rastet kur nuk janë marrë masat e parandalimit të krimeve, si ato në familje apo të gjakmarrjes dhe për rastet kur ngjarjet nuk hetohen me rezultate. Burgaj ka folur edhe për sigurinë rrugore, duke kritikuar efektivët e Njësisë së Qarkullimit për aksidentet e shumta në rrugët kombëtare.

5
ngjarje kanë ndodhur gjatë javës së kaluar dhe ditës së hënë, në Pukë, Lezhë, Mamurras, Rrëshen, ngjarje kriminale që tronditën mbarë opinionin publik. Në Tale ndodhi vrasje me motive gjakmarrje, kurse autorët u arratisën.

5
persona janë sulmuar nga tre persona me maska dhe armë. Nga kjo ngjarje u shënuan 5 të plagosur nga një familje. Ndërsa brenda dy ditëve në Mamurras burri vrau gruan për xhelozi dhe në Rrëshen, në rrugën kombëtare, u grabitën babë e bir, shqiptarë nga Mali i Zi.

Rriten patrullimet në Rrugën e Kombit
Mbikëqyrja në Rrugën e Kombit duket se është forcuar përgjatë ditëve të fundit. Mobilizimi i forcave të rendit ka ardhur pas ngjarjes së fundjavës kur babë e bir nga Ulqini u grabitën nga persona të maskuar në aksin Milot-Morinë. Raportimet për tentativa grabitjeje në këtë autostradë janë të rralla, por aktet vandale të kohëve të fundit të paktën nuk të bëjnë të mendosh se ato do të mbeten në këtë nivel apo nuk do të ndodhin më. Persona të paidentifikuar herë pas herë hedhin gurë në rrugë, duke arritur ngadalësimin e lëvizjes së mjeteve. Kjo rrit mundësinë për grabitje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›