E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festonin pensionin e koleges, helmohen mjekët e Elbasanit

helmohen mjeketNdodh zakonisht të shtrohen në spital pacientët, por këtë herë kanë qenë vetë mjekët e Elbasanit që janë helmuar nga alkooli, dhe kanë përfunduar rëndë në spital duke marrë serume. Gjithë stafi i bluzave të bardha të spitalit Psikiatrik të Elbasanit ishin bashkuar në një darke teksa festonin daljen në pension të njërës prej kolegeve së tyre, ndërsa janë helmuar gjatë mbrëmjes.
Helmimi
Të 35 mjekët dhe infermierët e Psikiatrisë shfaqën shqetësime, derisa u dërguan në repartin e Urgjencës, por sipas bluzave të bardha, vetëm 6 prej tyre kishin nevojë për trajtim me medikamente dhe terapi për toksikim. Policia nisi hetimet për ngjarjen e ndodhur dhe dyshimet janë për një helmim nga alkooli i tepërt i konsumuar dhe ushqimi në restorant. Mjekët dhe infermierët festonin daljen në pension e njërës prej kolegeve të tyre, Fitore Totozani. Ndërkaq, policia e qytetit po heton për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Gjendja shëndetësore
Por sipas drejtuesve të spitalit, megjithëse në darkë kanë qenë të paktën 35 vetë, vetëm 6 prej tyre kishin nevojë për trajtim, sepse të tjerët thjesht kanë kryer një kontroll rutinë pas kësaj ngjarjeje, në kuadër të masave parandaluese. Drejtori i spitalit, Mehmet Ibaj, njoftoi se njeri prej punonjësve është me shenja intoksikimi dhe mbahet në urgjencë, ndërkohë që 5 të tjerët pasi u trajtuan me serum dhe medikamente, ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore, por janë ende në spital.
Shkaqet
Nga hetimet paraprake dyshohet se shkak i helmimit të jetë konsumimi i tepërt i alkoolit nga ana e punonjësve, të cilët po darkonin bashkë në një nga lokalet e zonës ku po festonin daljen në pension të njërës prej kolegeve të tyre. Policia tha se ka dhe një pistë të dytë, helmimi nga ushqimet dhe për këtë shkak po i bëhen analizat kampioneve të marra nga grupi hetimor në lokal.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›