Tri minorene shesin bizhuteritë e prindërve për një fundjavë në Tiranë
Minorenet: Ikëm për një jetë më të mirë, ishim mërzitur në Korçë
Ka qenë një aventurë e vërtetë, historia e padëgjuar më parë e tri vajzave të mitura nga Korça përkatësisht nga 11 vjeç secila. Një prej vogëlusheve ka vjedhur të gjitha bizhuteritë e prindërve të saj në banesën ku jetonte, më pas së bashku me dy shoqet e saj, minorenia ka shkuar në një prej argjendarive të qytetit duke i këmbyer varëset e aksesorët e tjerë me shumën prej 500 mijë lekësh (të vjetër), para që do ti shpenzonin për një fundjavë në kryeqytet. E gjithë aventura është zbardhur mëngjesin e djeshëm kur policia bëri publike dhe të gjitha detajet e kësaj ngjarjeje të rrallë menjëherë pas një telefonate në Policinë e Tiranës ku pronari i një hoteli në periferi të kryeqytetit kishte deklaruar se në biznesin e tij kishin prenotuar për tre net një dhomë, tri vajza minorene.
Arratisja
11-vjeçarja me iniciale B.D ka qenë ajo e cila ka inskenuar gjithë historinë ku pas shitjes së bizhuterive bashkë me dy shoqet e saj i kanë hipur një furgoni të linjës Korçë-Tiranë e më pas kanë ndaluar diku në periferi të Tiranës ku kanë prenotuar për tre net një dhomë hoteli. Më pas të tri minorenet kanë shkuar në disa butikë dhe dyqane të shtrenjta ku kanë ndryshuar veshjet e tyre, e më pas të bindura për të ndryshuar edhe lukun, kanë shkuar në parukeri ku kanë prerë e kanë lyer flokët. Mendohet se tri minorenet kanë qëndruar për një natë në hotel ndërsa mëngjesin e ditës tjetër pronari i hotelit pasi ka vënë re sjelljen e çuditshme dhe ndryshimet në pamje të minoreneve e pasi ka dëgjuar denoncimin në televizion ka njoftuar menjëherë policinë.
Dëshmitë e prindërve
Prindërit e të miturës tregojnë se ngjarja e pazakontë e ka pasur fillesën mbrëmjen e së dielës, kur 11-vjeçarja pa dijeninë e tyre ka vjedhur disa bizhuteri për ti shitur më pas në bashkëpunim me shoqet e saj në një prej argjendarive të qytetit të Korçës, me qëllim për të siguruar paratë e udhëtimit për në Tiranë. Mësohet se vajzat nuk kishin shkuar asnjëherë në Tiranë dhe ky fakt i ka shtyrë të kalonin një fundjavë në kryeqytet. Pavarësisht ngjarjes, vajzat janë në gjendje të mirë shëndetësore ndërsa nuk ngurojnë të deklarojnë se janë larguar në Tiranë për një jetë më të mirë, pasi ishin mërzitur me jetën në Korçë. Të miturat me iniciale B.D, K.Z dhe Xh.H janë shoqe me njëra-tjetrën dhe banojnë në zonën e njohur si Lagjja e Francezëve në Korçë.