Spitali i Vlorës pa ilaçe, kërkohen ndihma
Vlorë- Të dorëzuar para situatës së krijuar në spitalin rajonal, ku bluzat e bardha thjesht vizitojnë, shënojnë kartela, tregojnë barnat, por edhe rrugët që të shtruarit mund t’i gjejnë ato, krerët e spitalit të Vlorës, kanë hedhur sytë në ndihma të mundshme jashtë strukturave ministrore.
Një ftesë e tillë për ndihmë i është drejtuar konsullatës së Vlorës. Drejtori i spitalit Luter Nuraj pohon se ka marrë sinjale pozitive nga konsulli i Vlorës, Sergio Strozi. Duke i parashtruar gjendjen dramatike referuar mungesës së barnave, Nuraj e ka shoqëruar këtë te përfaqësuesi italian me një listë barnash. Sipas Nuraj, konsulli italian në Vlorë, ka premtuar të ndihmojë qytetin, ku banon aktualisht me barna të siguruara nga qyteti i Leces.
Sipas tij, ministria e Shëndetësisë e ka shprehur pafuqishmërinë e saj për të ndërhyrë kur janë kryer procedurat e mëparshme tenderuese. Mungesa e ilaçeve, por edhe abuzimet me tenderat u denoncuan publikisht pak ditë më parë nga kreu aktual i spitalit të Vlorës, Luter Nuraj, gjendje kjo që është e pandryshuar për spitalin e Vlorës.
Edhe më e rënduar paraqitet gjendja për ata pacientë, të cilët shtrohen në orët e natës, orë gjatë të cilave është vështirë të gjesh farmaci hapur. Ndihma e parë për ta ndodh të jepet jo pa shqetësime. Në spital aktualisht ka mungesa edhe në serume dhe antibiotikë.