E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Burimet e rinovueshme të energjisë, përcaktohen masat mbështetëse për konsumatorët familjarë

TIRANË, 27 nëntor/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot skemën mbështetëse për arritjen e objektivit kombëtar për burimet e rinovueshme të energjisë në sektorin e ngrohjes dhe ftohjes.

Vendimi ka për qëllim përcaktimin e rregullave dhe procedurave të masave mbështetëse për arritjen e objektivit kombëtar për burimet e rinovueshme të energjisë në sektorin e ngrohjes e të ftohjes.

Burimet e financimit për skemën e mbështetjes përfshijnë përveç të ardhurave nga buxheti i shtetit edhe burime të tjera financimi jashtë buxhetit të shtetit, përfshirë burimet e financimeve të huaja, nëpërmjet programeve apo projekteve të ndryshme për promovimin e eficiencës, burimeve të rinovueshme dhe kursimit të energjisë.

Mbështetja në investim do të mbulojë në çdo rast vetëm një pjesë të kostos së nevojshme për blerjen dhe instalimin e teknologjive që shfrytëzojnë burime të rinovueshme energjie, për realizimin e ngrohjes dhe ftohjes.

Klientët familjarë mund të aplikojnë për përfitimin e skemës mbështetëse për sistemet diellore të ngrohjes së ujit me një financim që përfshin 70% të vlerës së investimit, llogaritur për një vlerë maksimale investimi prej 140 000 lekësh pa TVSH.

Ndërsa për kaldajat me biomasë ose biokarburant financimi përfshin 20% të vlerës së investimit për një vlerë maksimale investimi prej 250 000 lekësh, pa TVSH.

Po ashtu edhe për pompat e nxehtësisë financimi përfshin 20% të vlerës së investimit për një vlerë maksimale investimi prej 600 000 lekësh, pa TVSH.

Ndërsa për ngrohjen dhe ftohjen qendrore në banesa financimi përfshin 30% të vlerës së investimit për një vlerë maksimale investimi prej 3 000 000 lekësh, pa TVSH.

Sipas vendimit, agjencia përgjegjëse për eficiencën e energjisë shpall hapjen e aplikimeve për regjistrimin e operatorëve ekonomikë që tregtojnë ose instalojnë teknologjitë e rinovueshme në ngrohje dhe ftohje me qëllim evidentimin e teknologjisë dhe ofertën për instalimin e saj.

Pajisjet e ofruara duhet t’i përkasin dy klasave më të larta të eficiencës së energjisë, në përputhje me ligjin për etiketimin e produkteve me ndikim në energji dhe akteve nënligjore përkatëse.

Procesi i regjistrimit të operatorëve ekonomikë dhe kualifikimi i tyre realizohen brenda 60 ditëve kalendarike.

Agjencia përgjegjëse për eficiencën e energjisë shpall datën e nisjes së aplikimeve me kërkesë për klientët familjarë pas përfundimit të procesit të regjistrimit të operatorëve ekonomikë.

Vlerësimi i kërkesave bëhet sipas numrit rendor, ndërsa subjektet që nuk kualifikohen, njoftohen për arsyet e mospranimit të aplikimit dhe kanë të drejtë të çelin një aplikim të ri duke humbur numrin rendor të mëparshëm.

Konsumatorët familjarë, të cilët do të kualifikohen për përfitimin nga kjo skemë mbështetëse, do të duhet të përzgjedhin një nga subjektet e regjistruara pranë Agjencisë për Eficiencën e Energjisë për marrjen e shërbimit.

Zbatimi i skemës mbështetëse monitorohet nga agjencia përgjegjëse për eficiencën e energjisë në bashkëpunim me struktura të tjera të cilat përcaktohen me urdhër të ministrit përgjegjës për energjinë për ngritjen e grupit të monitorimit. /m.m/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›