E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Ushtarakët shqiptarë në Egjipt dhe Sudan urojnë festat e Nëntorit


TIRANË, 27 nëntor /ATSH/ Nga Sudani dhe Egjipti, aty ku flamuri ynë valëvitet krah për krah me simbolet e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, ushtarakët tanë përcjellin mesazhe krenarie dhe urimi për 112-vjetorin e Pavarësisë dhe 80-vjetorin e Çlirimit.

“Respekt për njerëzit që përfaqësojnë Shqipërinë me dinjitet kudo në botë”, shkroi ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu në rrjetet sociale teksa ndau sot mesazhet e ushtarakëve tanë.

“28 dhe 29 nëntori është dita e bashkimit, krenarisë dhe identitetit kombëtar. Nga Sinai urojmë që këto festa të mbushen me gëzim solidaritet dhe frymë patriotike. Gëzuar”, u shpreh nënkoloneli Ilir Doci nga Sinai në Egjipt.

Ndërsa kapiten Piro Simo me krenari të veçantë dërgoi urimet për Ditën e Flamurit dhe 80- vjetorin e Çlirimit.

“Ky përvjetor na kujton sakrificat e atyre që luftuan për lirinë tonë dhe detyrën tonë për të ruajtur vlerat e Atdheut”, theksoi ai.

Kapter Elton Abasllari duke uruar festat e nëntorit tha se, “28 dhe 29 nëntori janë festat e identitetit dhe sakrificës shqiptare”.

“Nga misioni i Sinait po ju dërgojmë përshëndetjet tona më të përzemërta. Duke ju kujtuar se Atdheu është gjithmonë në zemrat tona. Gëzuar!”, u shpreh ai.

Ndërsa majore Adelina Qasolli uroi festat e 28 dhe 29 nëntorit nga Sudani.

“28 dhe 29 nëntori janë ditët që na kujtojnë sakrificat e të parëve tanë dhe na mbushin me krenari për trashëgiminë tonë kombëtare. Nga Sudani ju dërgoj urimet më të përzemërta për festat e nëntorit dhe 80 vjetorin e Çlirimit. Le ta mbajmë flamurin gjithmonë lart dhe Shqipërinë në zemër”, tha ajo. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›