Burreli e Skënderbeu, barazim pa vlerë

Një gol i anulluar për Skënderbeun në minutën e parë shtesë e ka mbyllur sfidën në stadiumin “Liri Ballabani” të Burrelit me tension mes lojtarëve dhe gjyqtarit kryesor të sfidës, durrsakut Andi Koçi. 0-0 një barazim që më tepër i bën punë Burrelit të Dorian Bubeqit, se sa Skënderbeut të Ivan Gvozdenoviç. Aq më tepër që edhe rezultatet e javës së tetëmbëdhjetë nuk kanë folur në favor të bardhekuqve, ndërsa kreun e ka rrëmbyer Flamurtari, që ka fituar 3-0 ndaj Lushnjes, si dhe është rikthyer Dinamo, e cila ka trimfuar në Lezhë, 4-0.
Burreli është më kërkues në pjesën e parë, ndërsa fati nuk ka qenë me vendësit të cilët janë ndalur dy herë nga shtylla e portës mike. Kështu ka ndodhur në të 9’, ndërsa Kastrati ka goditur në pozicion diagonal me portën e Skënderbeut, por topi nuk i është bindur dëshirës së tij. Loja kalon minuta të qeta, paçka se hera-herës prishet gjithçka nga ndërhyrjet e ashpra, aq sa Koçi nuk i ka kursyer kartonët e verdhë sidomos për vendësit. Në të 22’ matjanët provojnë reflekset e Ruci me një goditje në ecje e sipër, nga rreth 20 metra, e pritur nga mbrojtësi i katërkëndorit të Skënderbeut. Edhe një herë tjetër Burreli, ndërsa Koleci, në një gjuajtje fluturimthi nga rreth 25 metra, e sheh topin të ndalet në shtyllën e majtë pingule të portës mike. Sfera është kthyer në lojë, por vendësit nuk e përcjellin dot në rrjetë, ndërsa frenohen nga Ruci.
Pjesa e dytë ka një Skëndërbe më kërkues dhe këmbëngulës në gjetjen e golit të avantazh. Matjanët rreshtohen me forca të shumta në mbrojtje, ndërsa janë të detyruar të thyejnë sulmet mike, që në fakt nuk është se krijojnë raste të pastra. E vetëm pas minutës së 70-të Burreli ka dalë nga gjendja e vështirë, ndërsa Kryemadhi bllokohet nga mbrojtja mike. Pas dy minutash ndalet Ferruku nga pritja e Ruci, i cili të njëjtën gjë e bën dhe në të 75’ në goditjen e Kolecit. Fort i diskutueshëm rasti i minutës së parë shtesë, teksa Skënderbeu ka shënuar, por Sumaila ishte në pozicion jashtë loje. Dhe në vërshëllimën e fundit të Andi Koçit, 0-0, kurse më poshtë po ndiqni të gjitha rezultatet e javës së tetëmbëdhjetë të Kategorisë së Parë.
JAVA E 18-TË
E shtunë, 4 mars 2023
Luzi 2008 – Turbina 0-0
Apolonia – Tërbuni 1-0
Besëlidhja – Dinamo 0-4
Korabi – Besa 1-0
Tomori – Oriku 2-1
Burreli – Skënderbeu 0-0
Flamurtari – Lushnja 3-0