Burrëresha nga Kurbini, 93-vjeçarja Mide Vokrri që ende qëndis kostume nusërie

Kjo është 93-vjeçarja Mide Vokrri nga fshati Mali Bardhë i Kurbinit. Të gjithë e njohin si burrëresha, për faktin që nuk ka zgjedhur të martohet e të krijojë familje, por jetën e saj e ka lidhur me familjen e prindërve dhe nën kujdesin e vëllezërve.
Edhe pse në moshë të thyer, Mideja ende qëndis kostume me motive tradicionale të zonës, profesion me të cilën është marrë pjesën më të madhe të jetës. Ajo e ndjen veten ende të aftë për të qëndisur veshje nusërie, për të gjithë të afërmit dhe njerëzit që kërkojnë shërbim prej duarve të saj të arta. “Jam e vjetër” shprehet shkurtimisht gruaja, duke shtuar se ka ende gra më të vjetra se ajo.
“E vjetër jam, por ka edhe më të vjetra. Punët e dorës, edhe 100 vjeçe të jem, grepin që kam pas bërë e bëj që tani”, shprehet 93-vjeccarja
Ndërsa i nipi, Hideri, ka një urim për 93-vjeçaren.
“I uroj nën Mides jetë të gjatë. Jo vetëm për Malin e Bardhë, por për të gjithë trevën e Kurbinit do të mbetet një vlerë e paçmueshme”, thotë ai.
Mide Vokrri është e njohur në të gjithë rrethin e Kurbinit dhe më gjerë, pasi për kontribuet e saj është vlerësuar me një çmim mirënjohjeje nga Shoqata Miqësisë dhe Bashkëpunimit, Shqipëri-Itali.
Gazetar: M.Merhori
/RTSH/