Bursa ndërkombëtare, luhatet tregu i brendshëm
Monedha europiane euro, megjithë zhvlerësimin që po pëson çdo ditë në tregun e brendshëm valutor, dominon ndaj monedhave të tjera. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro këmbehej dje me 141,36 nga 142, 3 lekë që tregtohej dy ditë më parë. Ndërsa monedha jeshile amerikane është vlerësuar duke u çmuar më shtrenjtë se dy ditë më parë. Dollari amerikan e ka kaluar kuotën e 100 lekëve. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një dollar amerikan është tregtuar dje me 100,09. Por në të njëjtën kohë, agjencitë e këmbimit valutor në kryeqytet kanë raportuar për një euro që tregtohet me 141,5 lekë dhe një dollar që tregtohet me 101 lekë. Sipas tyre, luhatja e tregut të brendshëm të këmbimit valutor është reflektim i menjëhershëm i tregut ndërkombëtar. Duke iu referuar agjencisë prestigjoze Bloomberg, një euro është tregtuar dje me 1.4229 dollarë, me një ndryshim prej 0.79% nga një ditë më parë. Tregu i brendshëm valutor, i ndikuar nga tregu ndërkombëtar, nisi të luhatej me lajmin e vdekjes së kreut të Al Kaedës, Bin Laden dhe njëkohësisht lajmin se fqinji grek do të hiqte dorë nga monedha europiane, duke iu rikthyer monedhës së saj për shkak të krizës që ka kapluar shtetin helen.