E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekspertët: inflacioni në rritje, leku drejt zhvlerësimit

SHKRUAN: Blerina Hoxha 17-05-2011 11:24

Për herë të parë, ekspertët e pyetur nga Banka e Shqipërisë parashikojnë një rritje të inflacionit dhe nënçmim të lekut për dy vitet në vazhdim. Banka e Shqipërisë ka shpërndarë një pyetësor në ekspertët e kompanive të mëdha, kryesisht banka dhe për të parën herë, që kur ka nisur ky lloj anketimi, përgjigjet e marra për to reflektojnë një inflacion mbi 3.5 për qind dhe një kurs këmbimi lek –euro në kuotën e 139 lekëve.

Inflacioni

Një pjesë e madhe e ekspertëve të pyetur nga Banka e Shqipërisë mendojnë se, inflacioni do të jetë më shumë se 3 % dhe është ulur ndjeshëm grupi i ekspertëve të tjerë që mendojnë se, inflacioni do të jetë më i ulët se, 2 për qind. Kështu që në një mesatare të përgjithshme, parashikimi mbi inflacionin arrin nivelin më të lartë historik në rang ekspertësh, duke shënuar nivelin 3.5 për qind si mesatare. Ndërsa më herët, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2010, këto parashikime flisnin për nivele shumë më të ulta të inflacionit. Në fakt edhe realiteti në çmimet e konsumit të mallrave të shportës, por edhe shifrat e INSTAT raportojnë për një nivel të lartë të inflacionit. Gjatë këtij viti niveli, inflacioni ka kaluar objektivin e sipërm të Bankës së Shqipërisë 4 për qind. Për disa lloj artikujsh, çmimet janë rritur në më shumë se, 40 për qind dhe kjo i dedikohet rritjes së çmimeve në bursa. Ky krahasim vlen për karburantet dhe një seri artikujsh të tjerë duke nisur nga gruri, vaji, sheqeri, orizi, për të cilat çmimi i lartë është reflektim i tregjeve të huaja. Banka e Shqipërisë ka deklaruar pak kohë më parë se, 60 për qind e rritjes së çmimeve vjen nga importi.

Këmbimi

Ekspertët kanë parashikuar që kursi i këmbimit të lekut me euron, të paktën në 12 muajt e fundit të jetë në kuotën 139.3 lekëve. Pritjet e ekspertëve për pozicionin e euros, në këmbim me lekun, në tregun vendas janë në nivelin më të lartë të tyre. Ndërsa këmbimi i lekut, në këmbim me dollarin, në harkun e një viti parashikohet të jetë në nivelin 104.4 lekëve, duke shënuar kështu një ulje në krahasim me parashikimet që ishin bërë në gjashtëmujorin e parë të 2010. Banka e Shqipërisë në një analizë për zhvillimet në tregun e brendshëm të këmbimit valutor bën të ditur se, ndryshimet vjetore të indeksit janë luhatur në mënyrë regresive në kahun nënçmues dy vitet e fundit. Zhvillimet në disfavor të lekut, duket se, konfirmohen edhe nga indeksi i presioneve të tregut valutor i cili pas një rritje të përshpejtuar gjatë vitit 2009, paraqitet relativisht i qëndrueshëm gjatë vitit 2010. Ndërkohë, gjatë fillimvitit 2011 ky tregues pasqyron normalizim të përkohshëm, në një nivel relativisht të lartë, të presioneve nënçmuese.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›