Busek: Bashkëpunimi qeveri-opozitë është i domosdoshëm
Kryeparlamentarja e Shqipërisë, Jozefina Topalli, zhvillon një vizitë pune në Bruksel
Kreu i Parlamentit Europian, Jerzy Buzek, ka deklaruar dje në Bruksel në praninë e kryeparlamentares shqiptare, Jozefina Topalli, se është e domosdoshme për zhvillimin normal të vendit bashkëpunimi mes mazhorancës dhe opozitës. Duke folur për mediat pas takimit me kreun e Kuvendit të Shqipërisë, Busek tha se “unë do të thosha diçka nga këndvështrimi im. Nëse nevojiten të ndryshohen shumë gjëra në vendin tuaj, ashtu sikur dhe në vende të tjera, në të vërtetë nevojitet një bashkëpunim midis opozitës dhe pozitës. Ne e dimë se gjithnjë ka tensione ndërmjet koalicionit (pozitës) dhe opozitës, si në çdo vend demokratik ekziston kjo, por një lloj bashkëpunimi është i domosdoshëm, specifikisht në këto momente kur të dyja palët, pozita dhe opozita, në Shqipëri duan të hyjnë si shtet në BE”. Pra në këtë pikëpamje, vijoi ai, duke qenë përgjegjëse, bojkote të tilla janë shumë të të dëmshme, sepse nuk jep shumë mundësi për të bashkëpunuar.
Politikani polak, i cili drejton Parlamentin e Europës, gjithashtu i ka bërë thirrje qeverisë që të ndërmarrë reformat e kërkuara nga Brukseli, për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.
“Parlamenti Europian e vlerëson shumë të rëndësishme që në Parlament të ndërmerren reforma, për të luftuar krimin e organizuar dhe kjo është e domosdoshme edhe për vetë vendet anëtare të BE-së. Ne kemi ndërmarrë shumë reforma për të gjitha vendet e BE-së, sipas programit tonë të Stokholmit dhe në këtë pikë, edhe kërkesa për palën e ftuar për të bërë reforma për të ndryshuar disa gjëra, është shumë e rëndësishme gjithashtu”, deklaroi Busek. Ndërkaq, kryeparlamentarja Topalli ka përsëritur qëndrimin e saj se “ata kanë të gjitha hapësirat për të ardhur në Parlament për të diskutuar dhe për të ngritur komisione hetimore, për çdo gjë që është në përputhje me ligjin dhe me Kushtetutën.
Në Kuvend ne kemi arritur dhe do të arrijmë dhe për këtë jam e sigurt, kompromise dhe negociata shumë të rëndësishme”. Ndërkaq në takimin e djeshëm mes Busek dhe Topallit është folur edhe për krizën e krijuar në vend, si pasojë e përmbytjeve në zonën e Shkodrës. Kryetari i Parlamentit Europian, Jerzy Busek, tha se “ne vlerësojmë përpjekjet e qeverisë shqiptare për menaxhimin e situatës për evakuimin e njerëzve nga zonat e rrezikuara dhe siç tha zonja Kryetare disa minuta më parë, e gjitha kjo mbështetet gjerësisht nga Parlamenti Europian. është një situatë tipike ku ne do të tregojmë ndihmën dhe mbështetjen tonë në këtë rast”.
#