“Lufta në Irak nuk ishte e bazuar në ligjet ndërkombëtare”
Raporti
Dje hetimi që holandezët i kanë bërë luftës në Irak ka nxjerrë në dritë se ajo nuk ka pasur bazë ligjore në aspektin e ligjit ndërkombëtar. Raporti 551-faqësh bën të ditur se rezolutat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në vitet ‘90 para fillimit të luftës nuk u jepnin autoritet britanikëve dhe amerikanëve që të sulmonin Irakun. Në raport kritikohen edhe ministrat holandezë që përdorën informacionet e burimeve sekrete amerikane dhe britanike, sipas të cilave Iraku, pra pushteti i Sadam Huseinit, kishte armë të dëmtimit në masë, çka nuk doli e vërtetë më pas.
Sipas raportit, ministrat holandezë duhej të bazoheshin në vlerësimet e bëra nga Shërbimet Sekrete Holandeze dhe jo ato të huaja. Aty kritikohet ashpër qeveria holandeze e kohës që lejoi politikën të anashkalonte, madje të mos pyeste për ligjet ku vendosi që t’u jepte mbështetje amerikanëve dhe britanikëve në luftën e Irakut, e cila nisi në vitin 2003.
Politikanët injoruan edhe Shërbimet Sekrete Holandeze, të cilat nuk kishin të njëjtin informacion me ato amerikane. Në fund të raportit thuhet shprehimisht se: “Aksioni ushtarak që u ndërmor ndaj Irakut nuk ishte i mbështetur nga ligjet ndërkombëtare”.
Bëhet fjalë për një raport shumë të gjatë dhe të shumëpritur nga politikanët, por edhe nga holandezët vetë. Në të thuhet se ndërsa Shërbimet Sekrete Holandeze kishin shumë rezerva për sa u përket armëve të dëmtimit në masë në Irak, politikanët besuan verbërisht informacionet e shërbimeve amerikane e britanike dhe morën vendime pikërisht duke u nisur nga këto burime informacioni. Ndërkohë, në të nxirret i pastër Kryeministri Jan Peten Balkendende për mbështetjen ushtarake që u dha amerikanëve gjatë sulmit në Irak.
Këto hetime në lidhje me luftën nisën pas publikimit të disa materialeve të ministrit të dikurshëm të Jashtëm të vendit, që nxorën në dritë dyshime mbi legjitimitetin e luftës. Holanda ishte një nga vendet që u dha mbështetje konkrete amerikanëve në sulmin që ndërmorën në vitin 2003 në Irak, por nuk pati një rol ushtarak. Në kohën kur qeveria vendosi të mbështesë Bushin në vitin 2003, Parlamenti ishte kundër një vendimi të tillë dhe se në vend që të ndiqnin ligjet, ndoqën vendimet e shteteve të tjera.
#