E Diel, 1 Nëntor 2026

Bush: “Bisedimet, me ndikim pozitiv për daljen nga kriza”



Presidenti amerikan, Xhorxh Bush, ka konsideruar se kriza globale financiare nuk mund të zgjidhet brenda një dite, megjithatë pritet të arrihen progrese, pasi administrata do të kryejë një sërë procesesh që do të kenë ndikim pozitiv. “Të gjitha diskutimet me siguri që do të na çojnë drejt gjetjes se zgjidhjeve”, - ka pohuar Bush në kuadër të samitit të G20-s. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, është shprehur se liderët e vendeve pjesëmarrëse në samit do të miratojnë një plan aksioni për të rigjeneruar ekonominë dhe për të shmangur dëmet e mëtejshme të krizës. Me këtë rast, presidenti i Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso, ka deklaruar se duhet të vendosen rregulla me të qarta përsa u përket financave globale. “Mendoj se në këtë drejtim ekziston një konsensus i madh”, - është shprehur Barroso, i cili ka shtuar se asnjë institucion financiar nuk duhet t’u shpëtojë mbikëqyrjeve. Gjatë darkës, që shënoi fillimin e takimit të Grupit të 20-shes, pjesëmarrësit u shprehën se zgjidhja e problemit varet nga vazhdimi i bashkëpunimit dhe përkushtimit të komunitetit ndërkombëtar. Presidenti amerikan tha se takimi do të përqendrohet në analizën e shkaqeve dhe shqyrtimin e përgjigjes ndaj krizës financiare. Zoti Bush shtoi se bisedimet do të përfshijnë gjithashtu edhe një plan specifik veprimi për të mbrojtur parimet e tregut të lirë. Udhëheqës nga 20 fuqi të ndryshme ekonomike të botës u mblodhën dje në Uashington për bisedime zyrtare. Analistët thonë se gjasat për marrëveshje në këtë samit nuk janë të qarta, pjesërisht edhe për shkak të mungesës në takim të presidentit të zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Barak Obama. Obama ka dërguar një ekip të vetin në samit, në të cilin gjendet edhe ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Medlin Ollbrajt. Dy personalitetet më të interesuara në Europë për të zbutur pasojat e krizës financiare janë presidenti i Francës, Nikola Sarkozi, që aktualisht është edhe kreu i Bashkimit Europian, dhe kryeministri britanik, Gordon Braun. “Ajo që do Europa është të punojë bashkërisht me Shtetet e Bashkuara si dy aleatë, dy miq, dy partnerë, që kanë të njëjtat bindje, të njëjtat vlera dhe që së bashku të përballojnë sfidat”, - është shprehur Sarkozi. Nga ana e tij, zoti Braun ka përvojën e duhur kur është fjala për ekonominë. Ai ishte ministër i Financave për 10 vjet në qeverinë e kryeministrit Toni Bler dhe njihej si njeri kompetent dhe i matur.

16 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›