Dhe iu kujtua lypësi i metrosë
Albana LIFSCHIN
Qe rush hour - koha kur trenat mbingarkohen me njerëz të lodhur, që kthehen nga puna. Në vagonin e dytë hyri një zezak i gjatë reth të tridhjetave, i cili pasi kërkoi vemendjen e pasagjerëve, filloi :
“Mua më quajnë Xhon List. Kohët e fundit humba punën. Edhe gruaja ime gjithashtu. Bashkë me punën, humbëm edhe shtëpinë që nuk kemi me çfarë ta paguajme më. Nëse do të kishit pesë apo dhjetë cent, apo nëse u ndodhet ndonjë sanduiç për të shuar urinë, do t'u isha mirënjohës.”
Lypsi i ra vagonit poshtë e lart. Prej rreth dyzet pasagjerësh, dy veta futën duart në xhep e i lëshuan në pëllëmbë disa qindarka. Lypësi shtyu në vagonin lidhës, duke injoruar paralajmërimin që kalimi nga njëri vagon në tjetrit, kur treni është në lëvizje, gjobitet me 100 dollarë.
Mendi s’i kishte parë kurrë me vëmendje lypsat e sjellshëm të metrosë. Ishte mësuar që, kur hynte në tren, të hidhte një vështrim reth e qark për të gjetur ndonjë vend bosh nga qoshet e nxitohej të mos ia zinte njeri. Ulej dhe hapte gazetën. Ndihej mirë që njerin krah e kishte të lirë e nuk ndodhej nën trysninë e dy vetave ngjeshur ga dy krahët e tij. Urrente çdo lloj ere trupi, djersën apo parfumin e grave të metrosë. Ishte parfum i lirë me ca aroma të padurushme.
U mbështet në ndenjësen metalike dhe s’i ra ndër mend të hapte gazetën e mëngjesit. Zakonisht, gjysmën e lexonte rrugës për në punë dhe gjysmën tjetër në kthim. Sonte kjo nuk ndodhi. Gazeta mbeti e palosur brenda në çantën e tij sportive.
Kishte kaq kohë që ndiqte me ankth shkurtimet që ishin bërë në administratë që kurse kishte ardhur bosi i ri dhe priste radhën kur t’i jepnin rrogën e fundit. Nga natyra Mendi qe fjalëpakë e mbante vath në vesh porosinë e së sëmës: Në punë mos u përzje me njeri, as për mirë as për keq. Për keq të gjen e keqja, për mirë do kesh xhelozë që do ta vënë lopatën pa ndier. Sa më larg vëmëndjes, aq më mirë. Dhe ai kish bërë pikërisht ashtu. Por ja që biznesi u ble nga një pronar i ri dhe gjërat ndryshuan. Siguria e kaq viteve u lëkund. Njerëzit shikonin se si bosi ecte me një laps të madh në dorë, duke vënë kryqe majtas e djathas, çka do te thoshte shkurtonte vende pune si t'ja kishte qejfi. Dukej sikur fitimin e ndërmarrjes e llogariste me paratë që do të mblidhte nga rrogat e atyre që kish pushuar. Thoshin që ishte kurnac fabuloz. Në pasditen e vitit të ri, për personelin nuk kishte porositur koka kola me kanoçe, por kishte urdhëruar të blinin shishe plastike dy litroshe e gjysmë për dy dollarë, të cilat punetorët i kishin pirë me gota letre. Në mbarim të darkës, gotat ishin hedhur në kosh, por jo shishet plastike. Çkish mbetur në to, bosi i kishte bërë bashkë dhe i kishte futur në frigoriferin e zyrës. Kishte kaluar dy muaj me to, kështu flitej.
* * *
Treni u shkund e ngeci në stacion për disa minuta për shkak trafiku. Iu kujtua e shoqja. Nga puna ktheheshin të dy pothuaj në të njëjtën orë. Ajo i pat thënë se kishte vendosur t’i kërkonte boses shtesë rroge. Betohej se do ta bënte këtë të nesërmen, e të nesërmen, e të nesërmen , por s'kishte guxuar asnjëherë. Punonte si bebisitër prej më se një viti. Muajt e fundit kishte filluar edhe të gatuante në atë shtëpi e s’ishte e drejtë të paguhej njëlloj. Mendi e shihte se si e shoqja vinte e vdekur mbrëmjeve e mezi priste të binte në gjumë. Ndonjëherë e zinte gjumi në divan, ai ngrihej dhe i hidhte një batanije krahëve. Belma flinte ashtu pa u ndjerë deri në mëngjes. Sa e rëndë do të qe t'i thoshte se ç’kishte ndodhur. E kishte mbajtur për vete frikën e pushimit që gjashtë muaj, për të mos e shqetësuar. Tani s’kish më ç’fshihte. Si do të bënin vetëm me rrogën e saj? Ajo mjaftonte vetëm për qeranë e shtëpisë. Të gjitha shpenzimet e jetës së përditshme i mbulonin me rrogën e tij. E shoqja qe nikoqire dhe e kishte kullondrisur që, madje, edhe të hiqte diçka mënjanë.
Ai hyri në shtëpi me një çehre të prishur. Hyri si në një vend të zbrazët, pa zhurmën e televizorit dhe pa aromë gjelle. I erdhi mirë që Belma s’kishte mbërritur ende. Së paku kishte edhe disa minuta për të mbledhur veten. Kaloi dhe një orë me mendimet e tij. Jashtë binte shi i pandërprerë. Kur dëgjoi hapat e saj në korridor, u ngrit ta ndihmonte. Qe bërë ujë. I hoqi pardesynë nga krahët.
- ǒndodhi? Më bëre merak!
- Mos më pyet! A ka ndonjë çikë kafe të freskët?
Zakonisht kafen e bënte ajo, por sot Mendi ishte gati të bënte çdo gjë për të. Si do t’i thoshte që e kishin pushuar nga puna? Që e gjithë shtëpia këtej e tutje do mbështetej mbi krahët e saj? Dhe kushedi për sa kohë... Ia dha kafen me një pjatë të vogël, që e përdori si tabaka. Fytyra e Belmës u çel.
-Sa i mire që je, - tha ajo.
Bëri rrufitjen e parë dhe e vuri filxhanin mbi tavolinë. Po sikur t'i tregonte tani?
- Më së fundi, ia thashë - foli ajo. - I thashë boses sime që kërkoja rritjen e rrogës. Siç e kishim biseduar bashkë. Në fakt, ia kisha thënë që dy javë përpara, por s’të tregova se ajo më premtoi që do të më jepte përgjigje pasi ta diskutonte me burrin. Përgjigjen ma dha sot.
Ai po e vështronte në sy. Asnjë dritë kënaqësie nuk shihte në sytë e të shoqes. Nuk paskan pranuar. Por, fundja, punë e madhe, do bëjmë si do bëjmë.
- Nuk ma shtoi rrogën.
- Për këtë behesh merak ti? - u nxitua ta ngushëllote ai.
- Më tha se, meqë nuk kishin mundësi të më paguanin më shumë, kishin marrë në punë një tjetër me rrogë 100 dollarë më pak nga ç'më jepnin mua. Fillon punë të hënën... Ja, kështu. Tani jemi vetëm me rrogën tënde. Si dot’ia bëjmë?
Mendit iu kujtua lypsi i sjellshëm i metrosë.
16 Nentor 2008