Bush në Prishtinë?
Çfarë domethënie do të kishte kjo vizitë, e dyta në tokat shqiptare e "Presidentit të Pavarësisë"
Presidenti i SHBA-ve, Xhorxh Bush, mund të zhvillojë një vizitë në Kosovë pas samitit të NATO-s, që do të mbahet në Bukuresht në muajin prill, rreth 10 muaj pasi qëndroi në Shqipëri. Vizita e presidentit Bush nuk mund të komentohet, nëse zhvillohet, e rastësishme. Ajo qartësisht ka domethënien se territoret e shqiptarëve janë “interes” amerikan. Vizita do të mund të bëhet në një kohë kur Serbia po nxit ndarjen e Kosovës. Pas shpalljes së pavarësisë dhe njohjes së saj në mënyrë të menjëhershme nga SHBA-të, presidenti Bush besohet që të shkojë në Prishtinë. Lajmi është bërë i ditur nga disa media kroate, të cilat konfirmuan vizitën e presidentit amerikan në Kroaci. Sipas tyre, kreu i Shteteve të Bashkuara të Amerikës mund të jetë gjatë muajit prill në Kroaci dhe në Kosovë. Vizita është planifikuar pas samitit të NATO-s në Bukuresht, i cili do të mbahet ndërmjet 2 dhe 4 prillit. Nëse ky informacion konfirmohet, kjo do të ishte vizita e dytë e një presidenti amerikan në një territor me popullsi shqiptare. Para Bushit, në Ferizaj menjëherë pas luftës në 1999 qëndroi presidenti Bill Klinton. Ai tha në takimin e asokohshëm, që banorët e Kosovës kishin të drejtë të zgjidhnin për jetën e tyre, simbolet dhe monedhën. Ndërkohë, presidenti Bush vizitoi Shqipërinë në datën 10 qershor të vitit të kaluar, një vizitë historike që tërhoqi vëmendjen e të gjithë komunitetit ndërkombëtar. Mundet që autoritetet e Prishtinës të organizojnë festimet e pavarësisë së Kosovës, një nga krahinat etnike të Shqipërisë, e cila iu dha Serbisë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër më 1913. Në festime pritet të jenë presidenti Bill Klinton, ish-sekretarja e Shtetit, Medlin Ollbrajt dhe zyrtarë të lartë perëndimorë që ndërhynë kundër forcave serbe që po ushtronin për herë të pestë brenda 100 vjetëve gjenocid, masakra, vrasje, dëbime dhe deporime masive të popullatës nga Kosova.