Mos hani bukë shqiptarësh!
Valë ksenofobie antishqiptare në Serbi
Në qytetin e Somborit në Serbi, organizatat serbe dhe aktivistë të partive politike kërkojnë që të bojkotohen disa dyqane dhe furra buke të shqiptarëve në këtë qytet. Siç bëhet e ditur, pronarë të këtyre furrave të bukës janë shqiptarë nga Maqedonia dhe nga rajoni i Prizrenit të Kosovës. Një iniciativë qytetare e mbështetur nga partitë dhe organizata serbe kërkojnë që qytetarët serbë në këtë qytet të mos blejnë dhe të konsumojnë mallra nga afaristët shqiptarë. Thirrja e tyre është bërë edhe për tërë serbët e Serbisë. Në qytetin e Somborit, aktivistë të kësaj nisme para furrave të bukës të shqiptarëve dhe dyqaneve të tjera u ndajnë bukë dhe sende ushqimore falas të gjithë kalimtarëve dhe blerësve të rastit. Disa furra buke janë cak i sulmeve që nga 17 shkurti dhe se ato kanë ndërprerë aktivitetin e tyre për shkak të sigurisë. Një numër i madh i afaristëve shqiptarë në zonat serbe ndjehen të pasigurt dhe autoritetet shtetërore nuk kanë ndërmarrë asnjë masë për sigurinë e tyre.