E Diel, 1 Nëntor 2026

Bush njeh paraprakisht pavarësinë e Kosovës

Presidenti amerikan Xhorxh Bush tha se Shtetet e Bashkuara do të punojnë së bashku me aleatët për të parandaluar përplasje të dhunshme në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë.
"Për Kosovën, qëndrimi ynë është se statusi i saj duhet zgjidhur që Ballkani të jetë i qëndrueshëm," tha zoti Bush në një konferencë shtypi gjatë vizitës së tij në Tanzani. "Shtetet e Bashkuara do të punojnë me të gjithë aleatët tanë që të bëjmë më të mirën që të mundemi për të garantuar që të mos ketë dhunë," tha zoti Bush. Në një konferencë shtypi gjatë vizitës së tij në Tanzani zoti Bush tha se ai ishte i inkurajuar që Kosova kishte marrë angazhim për të mbrojtur të drejtat e serbëve. Zoti Bush tha se ai ishte i inkurajuar që Kosova kishte marrë angazhim për të mbrojtur të drejtat e serbëve. "Ne jemi të inkurajuar nga fakti që qeveria e Kosovës ka shprehur qartë vullnetin e saj dhe dëshirën e saj për të mbështetur të drejtat e serbëve në Kosovë," tha presidenti amerikan. Ai i bëri gjithashtu thirrje Serbisë që të punojë për integrimin në Evropë. Ai e garantoi popullin serb se do të ketë mbështetjen e Amerikës. Ndërkaq, zyrtarë të lartë amerikanë u takuan me homologët e tyre rusë dhe serbë për të diskutuar për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, njoftoi presidenca amerikane. Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondolesa Rajs dhe këshilltari i presidentit amerikan për sigurinë kombëtare, Stephen Hadley, "u takuan me homologët e tyre", deklaroi për shtypin në Dar Es Salam zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Dana Perino. Në një njoftim tjetër, SHBA deklaroi dje se ishte njohur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe përgëzoi qeverinë e saj për vendosmërinë e treguar për zbatimin e dispozitave të OKB-së për mbrojtjen e minoriteteve. ''SHBA po sheh nga afër situatën dhe po diskuton me partnerët e saj evropianë. Shumë shpejt ne do të bëjmë një deklaratë'', theksoi Departamenti amerikan i Shtetit.
Vendet e mëdha perëndimore njihen me aktin e Pavarësisë/Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Frank-Walter Steinmeier, u bëri thirrje dje "të gjitha palëve për qetësi dhe moderim", pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Steinmeier tha në një komunikatë se kishte pasur një bisedë telefonike me homologun e tij serb, Vuk Jeremic, si dhe me shefin e diplomacisë sllovene, vendi i të cilit ka presidencën e radhës të Bashkimit Evropian. "Ministrat shprehën mirëkuptimin mbi faktin se ruajtja e stabilitetit në rajon është prioriteti më i lartë", saktësohet në komunikatë. "Për këtë duhet qetësia dhe mirëkuptimi nga ana e të gjitha palëve, gjatë ditëve të ardhshme", këmbënguli Steinmeier. "Ministrat e Punëve të Jashtme e kanë hedhur poshtë me forcë çdo lloj dhune. Mjaft dhunë ka njohur Ballkani në të shkuarën", vijonte komunikata. “Shpallja e pavarësisë nga parlamenti kosovar është një "zhvillim i rëndësishëm" për Kosovën, ndërsa një deklaratë zyrtare pritet të bëhet nesër pas takimit të Brukselit”, deklaroi dje ndërkaq një zëdhënës i Foreign Office-it. Zvicra u shpreh dje lidhur me pavarësinë e Kosovës, se ajo do të jetë një nga prioritetet e politikës së saj të jashtme, në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme zvicerane. "Shpallja e pavarësisë së Kosovës pritej. Politika e jashtme do ta mbajë parasysh këtë fakt, duke e kthyer në një fushë prioritare të saj", tha Ministria e Jashtme në një komunikatë. Njohja e Kosovës nga Zvicra "do të bëhet pas konsultimeve të komisioneve të politikës së jashtme", vijoi ministria. "Ne presim nga ana e autoriteteve kosovare të angazhohen për mirëqenien të gjithë banorëve dhe të angazhohen për të mbrojtur të drejtat e të gjitha pakicave", nënvizohej në komunikatë. Kurse shefi i diplomacisë franceze, që ndodhet për vizitë në Jerusalem i uroi "fat të mbarë Kosovës", parlamenti i të cilës shpalli dje pavarësinë. "I uroj Kosovës fat të mbarë", deklaroi ministri që po përfundon në Jerusalem një vizitë dyditore në territoret palestineze në Jerusalem. Gjatë një konference shtypi në Jerusalem, ministri tha se ky zhvillim ishte sipas tij "një sukses i komunitetit ndërkombëtar dhe Evropës". "Kjo do t'u japë fund vuajtjeve", shtoi ai. Lidhur me reagimet e Serbisë, e cila tha se nuk do të njihte kurrë pavarësinë e Kosovës, Kushner deklaroi: Nuk duhen marrë gjërat tragjikisht. Ky është vetëm një fillim, nuk kishte rrugë tjetër". Ndërkaq, Roma u informua për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, por do të diskutojë për këtë çështje me partnerët evropianë, të hënën në Bruksel, u bë e ditur nga një burim diplomatik, duke i bërë thirrje Serbisë dhe Kosovës të tregohen të moderuara. "Do ta bëjmë të ditur qëndrimin tonë lidhur me situatën e re të krijuar pas shpalljes së pavarësisë, pasi të konsultohemi me partnerët tanë evropianë në mbledhjen e së hënës", njoftoi një zyrtar i Ministrisë së Punëve të Jashtme. "U bëjmë thirrje dy palëve për qëndrim të moderuar që të kufizohen në maksimum tensionet", shtoi ai. Vendet më të mëdha evropiane, Gjermania, Britania e Madhe, Franca dhe Italia do të bëjnë të ditur të hënën qendrimin e tyre për njohjen e pavarësisë së Kosovës, në mbledhje me homologët evropianë në Bruksel. “Irlanda synon te njohë pavarësinë e Kosovës. Keshtu ka deklaruar sot ministri i Punëve të Jashtme i këtij vendi, Dermot Ahern. "Unë do t'i rekomandoj Qeverisë së Irlandës që përfundimisht ne duhet ta njohim Kosovën", deklaroi ai per radion publike irlandeze. Kurse Rusia kërkoi dje konsultime në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara lidhur me deklaratën për pavarësinë e Kosovës, bëri të ditur zëdhënësja e misionit rus në Kombet e Bashkuara. "Rusia sapo ka kërkuar konsultime në Këshillin e Sigurimit", tha zëdhënësja Maria Zakharova. Ajo tha se kërkesa, drejtuar Panamasë, e cila mban kryesinë e radhës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ishte për zhvillimin e konsultimeve.
Vatikani bën thirrje për qetësi pas pavarësimit të Kosovës/Vatikani ftoi dje "drejtuesit politikë të Serbisë dhe Kosovës të tregojnë kujdes", duke u kërkuar të "angazhohen për të shmangur reagimet ekstremiste dhe pasojat e dhunshme", pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, sipas një komunikate të botuar në faqen e internetit të Radio Vatikanit. "Vatikani kërkon me vendosmëri që sensi i përgjegjësisë dhe fryma e paqes të mbizotërojnë ndaj çdo lloj qendrimi tjetër, qoftë kjo nga ana e qeverive apo popullsive të përfshira", shkruante zëdhënësi i Vatikanit, Frederico Lombardi. Papa Benedikti XVI "vazhdon t'i konsiderojë me afeksion popujt e Serbisë dhe Kosovës, u gjendet pranë dhe i siguron për lutjet e tij në këtë moment vendimtar të historisë së tyre", tha P. Lombardi. Shefi i shërbimit të shtypit të Vatikanit bëri thirrje, ndër të tjera, "për ruajtjen e demokracisë dhe shtetit të të drejtës".
Shefer garanton praninë e NATO-s në Kosovë/NATO do të vazhdojë të garantojë sigurinë në Kosovë pasi territori shpalli pavarësinë nga Serbia, bëri të ditur sekretari i përgjithshëm NATOS, Jaap de Hoop Scheffer. Të gjitha palët duhet ta pranojnë që KFOR-i vazhdon të mbajë përgjegjësinë për ruajtur një atmosferë paqeje në të gjithë territorin e Kosovës në përputhje me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, vetëm në rast se Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara vendos ndryshe", tha Scheffer në një komunikatë shtypi në faqen e internetit. "Në këtë periudhe të ndjeshme, KFOR-i do t'i përgjigjet me shpejtësi dhe vendosmëri ndaj çdokujt që do të përpiqet të shkaktojë dhunë në Kosovë", tha Scheffer, duke u kërkuar të gjitha palëve të tregojnë vetëpërmbajtje.
Edhe Komiteti Olimpik e njeh Kosovën si shtet i pavarur/Kryetari i komisionit të marrëdhënieve ndërkombëtare të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON), italiani Mario Pescante, tha dje se KON-i "do ta njihte me siguri pavarësinë e Kosovës", njoftoi agjencia ANSA. "Do të ketë me siguri një njohje të Kosovës nga ana e KON-it, këtë mund ta njoftoj paraprakisht", tha Pescante sipas ANSA-s. "Por nuk mendoj se Kosova do të ketë kohë për t'u përfaqësuar në Lojërat Olimpike të Pekinit 2008", shtoi ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›