Kadare: Po shtohet roli dhe përgjegjësia e faktorit shqiptar në Ballkan
Çfarë mesazhi keni në këtë ditë të madhe për gjithë qytetarët shqiptarë?
Mesazhet i thanë ata që duhet t'i thoshin. Rrallë ka ditë kur të gjithë pak a shumë janë në një mendje. Liderët e Kosovës e shpallën para botës programin shqiptar, i cili i hedh poshtë të gjitha shpifjet, frikërat e kota dhe ankthet e krijuara me qëllim të keq, që kjo pavarësi dhe kjo liri të mos i jepet një populli. Ne dëgjuam edhe fjalimet e shëmtuara nga pala serbe dhe nga liderë si Koshtunica që janë të pabesueshme. Nuk mund të konceptohet se si në vitin 2008 mund të përdoret gjuha klasike e luftës së ftohtë, gjuha staliniste, gjuha e urrejtjes ndaj qytetërimit perëndimor. Kemi dëgjuar edhe reagimin fatkeq rus, por unë kam shpresën se Rusia do të heqë dorë nga qëndrimet absurde, se si një shtet i madh i turret me tërbim lirisë së një populli të vogël. Rusia e ka bërë këtë disa herë edhe më parë dhe kjo është kthyer në dëm të saj. Kjo është e papranueshme nga ana njerëzore, megjithatë liria e Kosovës është e fuqishme dhe nuk ka forcë ta ndalë atë.
Si e parashikoni të ardhmen e Kosovës që sot e tutje?
Parashikoj të ardhmen normale europiane, si gjithë kombi shqiptar, si Shqipëria jonë. Të gjithë biem dakord se Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete shqiptare, njëri është shtet i vjetër, dhe tjetri është shtet i ri. Njëri është një shtet historik, tjetri një shtet i sapokrijuar, por janë dy shtete shqiptare. Ky është një gëzim i madh për kombin shqiptar, pasi është një fuqizim i tij, një konsolidim i tij dhe një përgjegjësi e këtij kombi në Ballkan dhe në Europë, gjë që e rrit kombin shqiptar.
Presidenti Sejdiu dhe Kryeministri Thaçi kanë dhënë garanci të plota jo vetëm për popullin e Kosovës, pakicat minoritare në Kosovë, por edhe për fqinjët. Sa ndikim do të ketë kjo te ndërkombëtarët, në njohjen sa më të shpejtë të pavarësisë së Kosovës?
As që diskutohet se pavarësia do të njihet nga shtetet e tjera të Europës. Mendoj se deklaratat e tyre kanë qenë tepër korrekte dhe tepër dinjitoze, kanë qenë në standardet më të larta europiane, demokratike, pra në nivelet universale të demokracisë. Mesazhet kanë qenë shumë të qarta, vetëm nëse një pjesë e serbëve nuk duan vetë t'i dëgjojnë këto mesazhe. Kurse lidhur me bashkësinë europiane qëndrimi u bë i qartë gjatë ceremonisë së shpalljes së pavarësisë, e cila u dha kaq gjerësisht nga mediat, sa nuk mbaj mend të kem parë ndonjëherë një ndjekje hap pas hapi të gjithë zhvillimeve.
Çfarë pritet tani nga Shqipëria zyrtare dhe çfarë hapash duhet të ndërmarrin autoritetet shqiptare në vijim?
Pavarësisht se kur do të jetë dita që do ta njohë Shqipëria pavarësinë e Kosovës, qëndrimi i Shqipërisë dihet dhe është i qartë. Qëndrimi i Shqipërisë ka qenë dhe është i hapur. Nuk ka asnjë gjë të fshehur, përkundrazi u vërtetua se nuk ka një program të fshehtë për Shqipërinë e Madhe. Shqipëria është shteti më i afërt i këtij shteti të ri, është shteti më i afërt që do t'i qëndrojë pranë Kosovës, në ditë të mira, por edhe në ditë të vështira.