Bushati: Eksponent të qeverisë lobim kundër Uidhers

Deputeti i Partisë Socialiste në një intervistë për "Shekulli" kritikon qeverinë në marrëdhëniet e saj me SHBA
Deputeti i Partisë Socialiste, Ditmir Bushati, deklaroi dje se eksponentët e qeverisë kanë shpenzuar para të taksapagueseve shqiptarë për udhëtime dhe lobim kundër Ambasadorit Uidhers.
Në një intervistë të dhënë për gazetën "Shekulli", zyrtari socialist komentoi në këtë mënyrë marrëdhëniet midis qeverisë shqiptare dhe ambasadorit në ikje të SHBA-së.
Ai thotë se ankesa e Berishës përmes Metës në adresë të Uidhers ngjan me kraterin
e një skandali shpërthyes, flakët e të cilit janë shumë më të përhapur në kohë. Zyrtari socialist komenton gjithashtu dhe incidentin në Himarë, votimin e ligjit të SHISH dhe letrën e Sekretares së Shtetit Hilari Klinton.
Zoti Bushati, këto ditë jemi njohur me letrën që Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Philip Gordon, me kërkesë dhe në emër të Sekretares së Shtetit Hilari Klinton i dërgoi Ministrit të Punëve të Jashtme, Ilir Meta, si përgjigje ndaj ankesës së qeverisë shqiptare mbi ambasadorin Xhon Uidhers II.
Cili është vlerësimi juaj për këtë letërkëmbim dhe për mohimin që i bëri Ministri i Jashtëm Meta ekzistencës së këtij letërkëmbimi?
Ankesat e qeverisë së Sali Berishës ndaj qëndrimeve të Ambasadorit të SHBA-ve dëshmojnë një sharlatanizëm politik dhe mungesë sensi e përgjegjësie kombëtare, pasi dihet nga praktika e marrëdhënieve ndërkombëtare se një ambasador përfaqëson qëndrimet dhe pikëpamjet e vendit të vet dhe nuk shpreh pikëpamje personale. Aq më
tepër një ambasador karriere si zoti Uidhers që është pjesë e shërbimit diplomatik më performant në botë.
Mjafton të krahasohen qëndrimet e Ambasadorit në ikje Uidhers dhe atij në ardhje Arvizu në lidhje me zhvillimet politike në Shqipëri dhe çdo qenie racionale kupton se ato ngjasojnë si dy pika uji, pasi nuk janë qëndrime personale, por qëndrimet e aleatit kryesor të kombit shqiptar, SHBA-ve.
Këto veprime janë edhe më të dënueshme në kushtet kur roli gjeopolitik i shqiptarëve në rajon është rritur ndjeshëm, sidomos dekadën e fundit, falë mbështetjes së vyer të SHBA-ve.
Letra e ndihmës sekretarit Gordon është një qëndrim i rikonfirmuar i qeverisë amerikane në lidhje me zgjidhjen e krizës politike dhe garantimin e pavarësisë së funksionimit të institucioneve.
Në të njëjtën kohë është një paralajmërim i qartë për gjendjen e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri, si pasojë e kërcënimeve të vazhdueshme të Sali Berishës për të vënë nën kontrollin personal çdo qelizë të shtetit të së drejtës.
Në rast se do të përdorja një krahasim, ankesa e Berishës përmes Metës në adresë të Uidhers ngjan me kraterin e një skandali shpërthyes, flakët e të cilit janë shumë më të përhapur në kohë. Eksponentë të kësaj qeverie kanë shpenzuar para të taksapagueseve shqiptarë për udhëtime dhe lobim kundër Ambasadorit Uidhers.
Gjej rastin t'i bëj thirrje Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit që të kontrollojë shpenzimet publike të Ministrisë së Punëve të Jashtme, sidomos ato të kryera në verën e vitit 2008, pasi kemi nevojë për vendosjen e precedentëve pozitiv edhe në drejtim të abuzimit me financat publike për qëllime që nuk lidhen aspak me detyrën.
Ne si ligjvënës kemi gjithashtu detyrimin kushtetues të kryejmë një hetim të plotë mbi ekzekutivin pasi jam i bindur se do të gjejmë plot raste të ngjashme me ankesa për përfaqësues të trupit diplomatik, donatorë apo përfaqësues të shoqërisë civile, sepse 20 vjet pas shembjes së regjimit komunist vazhdojmë të jetojmë nën hyqmin e një komunisti.
Mohimi i letërkëmbimit nga ana e zotit Meta, thellon më tej skandalin dhe pozicionin bllofist të ministrit të Punëve të Jashtëm të Shqipërisë përballë opinionit publik vendas dhe partnerit tonë kryesor, duke nxjerr edhe më në pah faktin se sa e padenjë është për nivelin e lartë të partneritetit Shqipëri-SHBA është kjo qeveri.
Në rast se Ilir Meta është autorizuar nga Sali Berisha për të ndërmarrë një veprim të tillë atëherë është momenti që ai të tërhiqet nga kjo qeveri me një ndjesë të madhe ndaj opinionit publik për veprimin e kryer në kurriz të dinjitetit të kombit shqiptar.
Në rast se ka vepruar në mënyrë autonome, atëherë është përgjegjësi e Sali Berishës për të shkarkuar ministrin e tij dhe për të na vërtetuar se nuk është ai inspiruesi i këtij skandali të rëndë ndërmjet
dy partnerësh.
Opinioni publik është njohur gjithashtu me letrën që Sekretarja e Shtetit Hilari Klinton i dërgoi Ministrit të Punëve të Jashtme Ilir Meta në lidhje me zhvillimet në Kosovë.
A mendoni se kjo letër u publikua nga Ministria e Punëve të Jashtme për të hequr vëmendjen e opinionit publik mbi letrën e sipërpërmendur të zbuluar nga një televizion privat?
Letra e Sekretares së Shtetit Klinton kishte në fokus të saj zhvillimet rajonale dhe globale në lidhje me Kosovën sidomos pas opinionit këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Është e rëndësishme që procesi i njohjeve të shtetit të Kosovës të njoh një hov të ri cilësor pas opinionit këshillimor të institucionit të drejtësisë ndërkombëtare në favor të pavarësisë.
Për vetë rëndësinë e mesazhit që përçonte letra, larg një komunikimi klasik ndërmjet shtetesh, por si një sinjal i qartë i vazhdimësisë amerikane në mbështetje të pavarësisë dhe pandashmërisë së Kosovës e integrimit të saj euro-atlantik, është mirë që opinion publik vendas u njoh me të.
Nga ana tjetër, inkurajimi e vlerësimi për politikën rajonale konstruktive e pajtuese të Shqipërisë, një qasje thuajse konstante e politikës së jashtme shqiptare në këto 20 vjet, nuk duhet ngatërruar me vështirësitë e brendshme
me të cilat ndeshet sistemi ynë demokratik.
Ndaj, nuk do të doja të besoja se publikimi i letrës është bërë për të tërhequr vëmendjen nga skandali me ankesën e Berishës përmes Metës ndaj Ambasadorit Uidhers, pasi do të ishte një guxim i madh që shkon përtej sharlatanizmit të politikës shqiptare apo të menduarit në mënyrë racionale.
Ambasadori i SHBA-së Xhon Uidhers në intervistën e tij të fundit në emisionin "Top Story" deklaroi se projektligji i paraqitur nga qeveria në lidhje me ndryshimet në Shërbimin Informativ Shtetëror shkel detyrimet e anëtarësimit në NATO.
Nga ana tjetër, qeveria ka deklaruar se në muajin shtator do të miratojë ligjin e SHISH. Këmbëngulja e saj për të miratuar këtë ligj çfarë rreziku diplomatik sjell për vendin tonë?
Anëtarësimi në NATO është një kontratë me të drejta e detyrime të ndërsjella të Shqipërisë në raport me aleatët, të cilat nuk po i respektojmë.
Sirenat e alarmit janë ngritur nga partnerët tanë dhe përfaqësues të rëndësishëm të aleancës.
Nuk besoj se Sali Berisha do t'ia arrijë që të miratojë një ligj të tillë, falë triumfit të mendjeve e zemrave pro-atlantiste në aulën e Kuvendit nga e majta në të djathtë, të cilët në mënyrë dinjitoze e refuzuan një herë këtë sipërmarrje aventureske që bie ndesh me interes strategjike të kombit shqiptar.
Me fillimin e sesionit të ri parlamentar do të vazhdojmë betejën tonë për të mos lejuar që një gjë e tillë të ndodhë, në mbrojtje të demokracisë dhe vlerave të saj. Ndaj, nuk dëshiroj të përmend këtu penalizimet apo rreziqet që mund t'i vijnë Shqipërisë për shkak të një qeverisje thellësisht të korruptuar e të pandjeshme.
Megjithatë, këmbëngulja kokëfortë e kryeministrit të vetëm ish-komunist në Evropë për të vënë nën kontroll personal edhe SHISH për shkak të përfshirjes së oborrit të tij në skandale korruptive, rrënjët e të cilit e kanë origjinën tek krimi i organizuar dhe mpleksja me shërbime sekrete aspak dashamirëse ndaj kombit shqiptar, është në fakt guri i provës se ende sot zemra e tij rreh për nga Moska.
Ditët e fundit vrasja e një të riu në Himarë shkaktoi një reagim të ashpër të një grupi banorësh që bllokuan për disa orë aksin kombëtar Vlorë-Sarandë.
Për vrasjen reagoi edhe Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Janullatos, i cili e konsideroi atë kërcënim për klimën e bashkekzistencës paqësore.
Athina zyrtare e konsideroi këtë vrasje me natyrë etnike duke kërkuar zbardhjen e ngjarjes dhe distanicimin nga ngjarja të gjithë spektrit politik shqiptar, ndërsa
Kryetari i Bashkisë Bollano kërcënoi me bojkotimin e sezonit turistik.
Qeveria dhe politika shqiptare në fakt reaguan vetëm pas reagimeve të autoriteteve të sipërpërmendura. Cili është komenti juaj? A mos kemi të bëjmë me një ndjenjëinferioriteti përkundrejt fqinjit tonë?
Përfitoj nga rasti që përmes gazetës tuaj, të shpreh ngushëllimet e mia për familjen e të ndjerit Aristotel Guma. E dënoj vrasjen e tij e cila si çdo vrasje është kriminale dhe bashkohem me zërat e përgjegjshëm të shoqërisë shqiptare që kërkojnë zbardhjen e ngjarjes dhe vendosjen e drejtësisë.
E çmoj solidarizimin e Kryepeshkopit të KishësOrtodokse Janullatos me familjarët e të ndjerit, por nuk shoh në horizont asnjë element kërcënues për klimën e bashkekzistencës paqësore të konsoliduar ndër shekuj.
I konsideroj legjitime kërkesat e familjarëve të të ndjerit dhe banorëve të Himarës për vendosjen sa më parë të drejtësisë në kushtet kur krimi është shpërfaqur rrugëve me
egërsinë e tij përballë një shteti impotent, por dënoj në të njëjtën kohë veprimet e tyre antiligjore për bllokimin e akseve kombëtare, sikundër reagimin e shpërpjesëtuar të bashkiakut Bollano, veprime të cilat nuk i shërbejnë zbardhjes së ngjarjes por amplifikimit të saj.
Kryeministri Berisha duhet të kishte reaguar menjëherë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave për këtë ngjarje të shëmtuar, por zgjodhi rrugën e batutave për kinse rekorde e tij të sajuara në fushën e notit dhe u detyrua të reagonte në mënyrë hipokrite vetëm pas qëndrimit të qeverisë greke, duke shpikur madje edhe terma të panjohura për të drejtën ndërkombëtare në konsiderimin që i bëri Himarës si "komunitet bilingual".
Reagimin e Athinës e konsideroj gjithashtu të papërshtatshëm për një vend anëtar të BE-së e NATO-s ndaj fqinjit të vet, sepse nga njëra anë e konsideronte ngjarjen me prapavijë etnike dhe nga ana tjetër kërkonte zbardhjen e ngjarjes, duke e përcaktuar Himarën indirekt si zonë minoritare në kundërshtim me përmbajtjen e instrumenteve europianë dhe ndërkombëtarë në fushën e minoriteteve ku aderon Shqipëria (kujtoj se një pjesë e rëndësishme e këtyre standardeve ende nuk janë përqafuar nga Greqia) dhe nivelin e marrëdhënieve dypalëshe.
I kërkonte spektrit politik shqiptar që ta dënonte ngjarjen a thua se në të shkuarën ka pasur ndonjë subjekt politik që nuk ka dënuar ngjarje të tilla dhe harroi të dënonte retorikën e ekstremistëve të LAOS-it të zëshëm në Parlamentin grek, të cilët nuk lënë rast pa përdorur retorikë inflamatore ndaj shqiptarëve dhe fqinjëve të tjerë.
Ndërkohë që investohet në mënyrë banale kundër përfaqësuesve diplomatik të SHBA-ve në Shqipëri, do të ishte e udhës që Tirana zyrtare të sqaronte në rrugë diplomatike shqetësimet e mësipërme, në mënyrë që të mos lejonte vendosjen e pretendimeve të paqena në raport me një fqinj si Greqia prej të cilit presim mbështetje në rrugën tonë drejt anëtarësimit në BE.
PERMBLEDHJE
Për lobimin
Ankesa e Berishës përmes Metës në adresë të Uidhers ngjan me kraterin e një skandali shpërthyes, flakët e të cilit
janë shumë më të përhapur në kohë. Eksponentë të kësaj qeverie kanë shpenzuar para të taksapagueseve shqiptarë
për udhëtime dhe lobim kundër Ambasadorit Uidhers.
Për Metën
Në rast se Ilir Meta është autorizuar nga Sali Berisha për të ndërmarrë një veprim të tillë atëherë është momenti që ai
të tërhiqet nga kjo qeveri me një ndjesë të madhe ndaj opinionit publik për veprimin e kryer në kurriz të dinjitetit të
kombit shqiptar.
Për SHISH
Këmbëngulja e kokëfortë e kryeministrit të vetëm ish-komunist në Evropë për të vënë nën kontroll personal edhe
SHISH-in për shkak të përfshirjes së oborrit të tij në skandale korruptive, është në fakt guri i provës se ende sot zemra e
tij rreh për nga Moska.
Për HIMAREN
Reagimin e Athinës e konsideroj gjithashtu të papërshtatshëm për një vend anëtar të BE-së e NATO-s ndaj fqinjit
të vet, sepse nga njëra anë e konsideronte ngjarjen me prapavijë etnike dhe nga ana tjetër kërkon zbardhjen e
ngjarjes.