E Diel, 1 Nëntor 2026

Vasili: Hetimi i fletëve ezaurues për çdo pretendim hipotetik të PS-së

Nënkryetari i LSI-së dhe ministri i Shëndetësisë komenton kërkesën e PS-së për mënyrën e hetimit të zgjedhjeve


Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, njëherësh ministër i Shëndetësisë, tha dje se hetimi i fletëve është plotësisht ezaurues për çdo pretendim qoftë edhe hipotetik të PS-së.


Në një intervistë të dhënë për gazetën "Shekulli", zyrtari i LSI-së shpjegoi se në çdo rast prania dhe përgjegjësia e barabartë e PS-së në administrimin e procesit të votimit e bën këtë një hetim shumë të kërkuar të paargumentuar dhe thjesht
një takticizëm politik të thjeshtë dhe kaq.


Për sa i përket kërkesës së PS-së për të proceduar me Komisionin Hetimor, Vasili thotë se ka pasur një pozicion shumë të qartë të gjithë mazhorancës për pranimin e ngritjes së një komisioni hetimor.


Ai shprehu besimin se është thënë mijëra herë dhe ngritja e kësaj gjëje si një tezë e re është shenjë e një kompleksi politik dhe jo provë e hapjes drejt një zgjidhjeje të re. Nënkryetari i LSI-së komenton negociatat PD-PS, qëndrimin e partisë së tij për këto bisedime, rezolutën e PE dhe zgjedhjet e ardhshme vendore.

Zoti Vasili, ka kaluar mëse një vit që prej zgjedhjeve të fundit, kriza politike midis mazhorancës dhe opozitës ende po vazhdon, ndërsa po afrohen zgjedhjet e ardhshme. Si e shikoni ju situatën aktuale politike dhe vijimësinë e saj?


Besoj që kemi përjetuar për muaj të tërë një situatë të një konflikti të pakuptimtë që ka konsumuar energji të shumta të panevojshme pa ndonjë produkt politik.


Mendoj se qëndrimi i qartë i komunitetit ndërkombëtar që ka sugjeruar vetëm zgjidhje politike që respektojnë ligjin dhe Kushtetutën e vendit është pa dyshim një filozofi e një vendi evropian dhe normal i cili nuk shikon më kah empirizmat politike pse jo foshnjarake të viteve të fillimit të pluralizmit shqiptar, por orienton zgjidhjet në ato parametra që bota e qytetëruar ka kultivuar në qindra vjet.


Në mënyrë normale këtij lloj konfliktualiteti të kërkuar duket që i janë konsumuar bateritë dhe natyrshëm Shqipëria politike e 2010-ës do të funksionojë mbi parametra dhe filozofi të tjera që në çdo rast nuk presupozojnë konfliktin e egër dhe asgjësimin politik të kundërshtarëve politikë, por debatin konstruktiv e të qëndrueshëm për të cilin ka aq nevojë një Shqipëri që po rritet dhe që ka ambicie gjithmonë e më të mëdha për qytetërim dhe prosperitet.


Kësaj filozofie nuk mund t'i shmanget askush sepse e kundërta është konsumuar tashmë mjaft gjatë, dendur dhe pa sukses në Shqipëri.


Janë zhvilluar dy raunde negociatash zyrtare midis Ruçit dhe Patozit për të arritur në një zgjidhje të situatës politike. PS ka bërë të ditur se ka bërë propozime konkrete për zgjidhjen e situatës.


A është në dijeni LSI për negociatat PD-PS dhe çfarë qëndrimi keni shprehur mbi to?


Besoj që negocimi për aq sa është negociuar ka qenë transparente dhe me objektiva që kanë së paku si pikësynim përmbylljen e një konflikti të zgjatur fiktiv dhe inproduktiv.


Zgjidhjet sigurisht do të jenë në të gjitha rastet në respekt të Kushtetutës dhe kjo është një arritje e madhe për vendin dhe për triumfin e shtetit ligjor mbi shtetin pa rregulla dhe më tutje zgjidhjeve të improvizuara antiligjore e që i japin politikës atribute që ajo nuk i ka dhe duke eliminuar çdo reminishencë të shtetit të para viteve '90, të cilin shqiptarëte kanë refuzuar në mënyrë plebishitare dhe që nuk do të donin ta rikthenin më kurrë.


Është mirë që ka filluar një proces negocimi dhe diskutimi në tavolinë është një dimension i një politike normale, larg asaj të prapambetur dhe me armë të ndryshkura të luftërave të vjetra politike që u ka kaluar koha.


Opozita ka kërkuar që të vijohet me Komisionin e ri Hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit, fletët e votimit të mos digjen, por të arkivohen dhe në rast se do të lindë nevoja për shikimin e tyre të ndërmerret një nismë drejt Komisionit të Venecias.


Cili është qëndrimi i partisë suaj lidhur me këtë çështje?


Besoj që nuk kemi ndonjë lajm të ri ndër këto që në mënyrë koherente citoni si kërkesa të opozitës. Ka pasur një pozicion shumë të qartë të të gjithë mazhorancës për pranimin e ngritjes së një komisioni hetimor, gjë që besoj se është thënë mijëra herë dhe ngritja e kësaj gjëje si një tezë e re besoj është shenjë e një kompleksi politik dhe jo provë e hapjes drejt një zgjidhjeje të re.


Ndërsa përsa i përket problemit të fletëve të votimit besoj se është një propozim pa përmbajtje as ligjore dhe as politike, sepse çdo fletë votimi është
numëruar dhe certifikuar më pas nga një numërim i tillë në mënyrë unanime dhe pa asnjë kontest nga PS dhe PD.


Ndaj natyrshëm lind pyetja ruajtja e këtyre do të jetë një provë ndëshkimi ndaj komisionerëve të PS apo alibi për tradhti të brendshme dhe grupesh të pabesa brenda kësaj partie? Si përfundim ashtu sikurse edhe rezoluta e Parlamentit Europian qartëson çdo zgjidhje që respekton kushtetutën dhe ligjin do të mbështetet pa asnjë hezitim nga LSI.


Zoti Vasili, Parlamenti Europian ka miratuar një rezolutë ku kërkon hetimin e materialeve zgjedhore.


Ndërsa ndodhemi në prag të liberalizimit të vizave, a do të sjellë mosrealizimi i kësaj pike probleme mbi Shqipërinë në aspektin e integrimit?


Hetimi i procesverbaleve të votimit dhe të procesverbaleve të numërimit dhe tabelave të rezultateve janë një objektiv i natyrshëm i komisionit hetimor, por kjo nuk ka të bëjë aspak me fletët e votimit dhe këtë mund ta kuptojë lehtësisht çdo qytetar sepse rezultatet e fletëve të votimit, të numëruar nga 50% e komisionarëve socialistë dhe 50% demokratë, janë te procesverbalet.


Ndaj hetimi i tyre është plotësisht ezaurues për çdo pretendim qoftë edhe hipotetik të PS-së, ndonëse në çdo rast prania dhe përgjegjësia
e barabartë e saj në administrimin e procesit të votimit e bën këtë një hetim shumë të kërkuar të paargumentuar dhe thjesht një takticizëm politik të thjeshtë dhe kaq.


Liberalizimi i vizave është qartësisht një problem që ka hyrë në një hulli të dukshme pa kthim dhe lajmi i madh që shqiptarët presin është një apel për përgjegjshmëri politike gjithnjë e më të lartë, është pa asnjë diskutim një arritje që për nga dimensionet kalon dukshëm të gjithë të tjerat dhe është një nga ato arritje që do të trokasë në çdo derë shqiptare si një mesazh i madh i shpresave të mëdha i dyerve të hapura të
kontinentit aq të qytetëruar pjesë të cilit kemi qenë në mijëra vjet, por që politikat e mbrapshta na kanë mbajtur aq larg.


Për të gjithë këto arsye duhet të jemi të gjithë shumë të gëzuar për këtë dhe kushdo që do të mëtonte të bënte Kasandrën do të bënte mirë të zgjidhte në Iliadën e madhe të tjerë heronj personazhe të saj të denjë për t'u imituar në të mirë të vendit dhe të vetes.


Në marrëveshjen PD-LSI është rënë dakord që përfaqësimi i partisë që ju përfaqësoni në qeverisje të jetë 20%. Ndërsa afrojnë zgjedhjet vendore, a do të kërkojë LSI 20% të kandidatëve potencial, ku koalicioni PD-LSI përllogaritet të jetë fitues?


Është ende herët për të folur për mënyrën, taktikën dhe formën e konkurrimit në zgjedhjet e ardhshme administrative. Do të jenë forumet më të larta të LSI-së ato që do të shprehen në kohën dhe në momentin e duhur për një çështje të tillë.


Beteja më e ashpër në zgjedhjet e ardhshme do të jetë ajo e kryeqytetit. Nga ana e PD-së deri më tani një kandidat i mundshëm është ministri i Brendshëm, Lulzim Basha.


Si do të procedojë LSI me kandidimin në Tiranë dhe si do të arrihet deri në përzgjedhjen e kandidaturës konsensuale midis kësaj partie dhe PD-së?


Nuk di dhe nuk kam asnjë informacion për asnjë kandidat të shpallur të PD për kreun e bashkisë së Tiranës. Gara për Tiranën sigurisht nëpërmjet mekanizmave politikë do të jetë një garë shumë e rëndësishme filozofish, drejtimi, perceptimi dhe vizioni.


Ky do të jetë edhe thelbi komunikimit me qytetarët i trajtimit
perspektiv të problemeve të tyre, e sidomos i kryeproblemit, atij të akomodimit social shpirtëror e psikologjik të të rinjve në këtë metropol kaq të rëndësishëm për vendin.


Tirana ka nevojë sigurisht për një dimension të ri drejtimi, të një sensi komunitar shumë më të vërtetë sepse realisht ai nuk ekziston dhe kryeqytetasit ndihen sot më të papërfillur se kurrë.


Tirana nuk ka nevojë për padron, por për një qytetar të parë midis të gjithë të tjerëve, ka nevojë për një drejtues që jeton për ta dhe me problemet e tyre, të një
kryebashkiaku misionar, modest që kupton se drejton kryeqytetas dhe nuk mundet kurrë që t'i sundojë ata, aq më pak në një rend shoqëror si kapitalizmi që përjashton sundimtarët dhe promovon qytetarët. LSI si një forcë politike shumë e përgjegjshme do të konkurrojë denjësisht dhe mjaft fortë në Tiranë dhe përgatitjet kanë filluar intensivisht.


Ne kemi qenë përcaktues dhe mjaft të ndjeshëm për të prurë edhe në këshillin bashkiak të Tiranës zërin e qytetarëve të Tiranës duke mos bërë asnjë kompromis me askënd në dëm të qytetarëve dhe do të vazhdojmë të jemi të tillë edhe në këtë mandat të ri që kërkon përgjegjësi edhe më të mëdha se më parë, sepse Tirana është tashmë kryeqyteti i një vendi anëtar i NATO-s dhe ku qytetarët e saj do të lëvizin lirshëm në Europë, po kështu edhe qytetarët europianë këtu, ndaj duhet një Tiranë e re, moderne dhe miqësore, dhe jo një Tiranë asfiksuese, arrogante dhe jonjerëzore.


PERMBLEDHJE

Për materialet


Hetimi i procesverbaleve të votimit dhe të procesverbaleve të numërimit dhe tabelave të rezultateve janë një objektiv i natyrshëm i komisionit hetimor, por kjo nuk ka të bëjë aspak me fletët e votimit dhe këtë mund ta kuptojë lehtësisht çdo qytetar sepse rezultatet e fletëve të votimit, të numëruar nga 50% e komisionarëve socialistë dhe 50% demokratë, janë te procesverbalet.


Për zgjidhjen


Mendoj se qëndrimi i qartë i komunitetit ndërkombëtar që ka sugjeruar vetëm zgjidhje politike që respektojnë ligjin dhe Kushtetutën e vendit është pa dyshim një filozofi e një vendi europian dhe normal i cili nuk shikon më kah empirizmat politike pse jo foshnjarake të viteve të fillimit të pluralizmit shqiptar, por orienton zgjidhjet në ato parametra që bota e qytetëruar ka kultivuar në qindra vjet.


Për konfliktin


Konfliktualiteti i kërkuar duket që i janë konsumuar bateritë dhe natyrshëm Shqipëria politike e 2010 do të funksionojë mbi parametra dhe filozofi të tjera që në çdo rast nuk presupozojnë konfliktin e egër dhe asgjësimin politik të kundërshtarëve politikë, por debatin konstruktiv e të qëndrueshëm për të cilin ka aq nevojë një Shqipëri që po rritet dhe që ka ambicie gjithmonë e më të mëdha për qytetërim dhe prosperitet.


Për vendorët


Gara për Tiranën sigurisht nëpërmjet mekanizmave politikë do të jetë një garë shumë e rëndësishme filozofish, drejtimi, perceptimi dhe vizioni. Ky do të jetë edhe thelbi komunikimit me qytetarët i trajtimit perspektiv të problemeve të tyre, e sidomos i kryeproblemit, atij të akomodimit social, shpirtëror e psikologjik të të rinjve në këtë metropol kaq të rëndësishëm për vendin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›