E Shtunë, 31 Tetor 2026

Viktimat nga aksidentet, replika PS-Ministri e Brendshme

Për partinë socialiste shifrat e viktimave dhe të plagosurve janë të ngjashme me një bilanc lufte në sezonin turistik

Ministria e Brendshme: PS dezinformon opinionin publik për situatën e qarkullimit rrugor


Numri i lartë i viktimave nga aksidentet automobilistike ka ndezur polemikat midis Partisë Socialiste dhe Ministrisë së Brendshme. Selia rozë shprehu shqetësimin për numrin e lartë të aksidenteve automobilistike në rrugët e vendit.


Deputetja socialiste Olta Xhaçka akuzoi strukturat shtetërore për mungesë masash për parandalimin e aksidenteve. Sipas selisë rozë as shtimi i efektivave të policisë në rrugët e vendit nuk është e mjaftueshme pasi është vetën një prej masave që për PS duhen ndërmarrë nga Policia e Shtetit.


"Masa të tjera si përmirësimi i sinjalistikës rrugore, sidomos natën, riparimi i rrugëve që rezultojnë problematike, në shumë raste pranë lokaliteteve të pushimeve, e mbi të gjitha përgatitja e një plan veprimi gjatë sezonit veror janë tërësisht të munguara. Ky është një tjetër dështim i pushtetit të Sali Berishës i cili po ju kushton tepër shtrenjtë shqiptarëve", -theksoi deputetja Xhaçka.


Ajo u shpreh se nëse turizmi është prioritet i shtetit, atëherë qeveria shqiptare t'i kishte marrë masat për parandalimin e aksidenteve para sezonit turistik. Për Partinë Socialiste përgjegjësia kryesore për numrin e lartë të aksidenteve dhe për humbjen e jetëve njerëzore është e Ministrisë së Brendshme dhe e kreut të saj Lulzim Basha.


"I bëjmë thirrje Z. Basha të dalë menjëherë në terren për të analizuar e mbikëqyrur masat që po merren për të kufizuar bilancin tragjik në rrugë, për të kursyer humbjen e jetëve të bashkëqytetarëve tanë e për të mos ia nxirë vendit imazhin siç kemi bërë deri më sot",-deklaroi deputetja e qarkut të Korçës.


Lidhur me incidentin në Himarë ku u dhunuan një grup gazetarësh, PS i bëri thirrje policisë së shtetit të vihet menjëherë në lëvizje për të zbardhur incidentin " Këto veprime dëmtojnë imazhin e policisë dhe të shtetit shqiptar.


Policia e shtetit është një institucion i cili ka detyrën t'i mbrojë qytetarët e jo t'i dhunojë ata",-theksoi deputetja Olta Xhaçka. Në reagimin e saj, Ministria e Brendshme akuzoi selinë rozë se po dezinformon opinionin publik për situatën e qarkullimit rrugor, aksidentet dhe masat e marra për këtë çështje nga Policia e Shtetit.


Zëdhënësi i ministrisë Fatmir Konja deklaroi se pavarësisht numrit më të lartë të autoveturave që kanë qarkulluar këtë vit në vendin tonë ka një ulje të numrit të aksidenteve.


Sipas Ministrisë së Brendshme rënia ka ardhur si rezultat i masave të marra nga Policia e Shtetit nëpërmjet riorganizimit dhe modernizimit të strukturës së Policisë Rrugore. Nga ana e saj Ministria e Brendshme akuzoi lidershipin e PS-së se ka shkaktuar probleme në qarkullimin rrugor nëpërmjet bllokimit në Parlament të ndryshimeve në Kodin Rrugor.


Berisha takim me biznesmenët e Vlorës


Kryeministri Sali Berisha, gjatë një takimi me biznesmenë vlonjatë të organizuar në Llogora deklaroi se falë biznesit dhe politikave të drejta ekonomike, Shqipëria ia doli të shënojë ritme të mëdha zhvillimi në kohën më të vështirë për ekonominë europiane dhe botërore. Kreu i qeverisë theksoi se nëpërmjet investimeve të mëdha, qeveria është përpjekur të lehtësojë klimën dhe kushtet e biznesit.


Shefi i qeverisë paraqiti para investitorëve disa prej reformave më të fundit të ndërmarra në mbështetje të biznesit dhe investimeve. "Ne kaluam ligjin e Agjencisë së Investimeve, një transformim rrënjësor i Albinvest, e cila do të funksionojë pothuajse në parimin e 'one stop shop'.


Duke iu referuar situatës së rënduar të trafikut rrugor në qytetin e Vlorës gjatë sezonit turistik, kryeministri u shpreh se ka përfunduar projekti dhe vitin e ardhshëm fillon ndërtimi i by-pass-it të Vlorës, që do ta drejtojë trafikun veror drejt bregu, duke lehtësuar në këtë mënyrë trafikun në qytetin e Vlorës. Ai premtoi se "qeveria do të mbështesë edhe projektin e unazës së qytetit".


Mark Marku: Duhet analizë dhe ndryshim prioritetesh


Deputeti Mark Marku i shtohet zërave që kërkojnë ndryshime në Partinë Demokratike. Sipas tij me afrimin e zgjedhjeve lokale, PD-ja ka nevojë për një analizë e cila duhet të pasohet nga disa ndryshime qoftë edhe në prioritetet qeverisëse.


Deputeti Mark Marku deklaroi se PD-ja ka bërë shumë për infrastrukturën, por duhet të punojë shumë edhe për të zgjidhur disa probleme shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me arsimin apo me shëndetësinë për t'u paraqitur sa më mirë në zgjedhjet për pushtetin vendor që pritet të zhvillohet në fillim të muajit maj.


Edhe pse drejtuesit e PD-së deklaruan tri vite më parë pas zgjedhjeve të 2007 se do të bënin një analizë, ajo ende nuk është bërë brenda selisë blu. Edhe pas zgjedhjeve të 28 qershorit Partia Demokratike nuk i është nënshtruar reformimit të saj ndonëse zgjedhjet vendore po afrojnë.


Sipas Kushtetutës 8 shtatori është data e fundit kur kreu i shtetit Bamir Topi mund të dekretojë datën e zgjedhjeve të ardhshme ndërkohë që afati limit për zhvillimin e zgjedhjeve është 8 maji. Pak ditë më parë ishte ish-deputeti Aleksander Biberaj i cili e konsideroi vonesën e zgjedhjeve për strukturat drejtuese të PD-së si një grusht të rëndë institucional ndaj PD-së dhe të demokracisë.


Duke analizuar situatën brenda PD-së, ish anëtari i kryesisë së kësaj partie Biberaj , theksoi se që nga prilli i vitit 2009, veç institucionit të Kryetarit të Partisë, në të nuk ekziston asnjë institucion tjetër legjitim dhe funksional.


Ambasadori Uidhers largohet nga Shqipëria


Ambasadori Xhon Uidhers largohet zyrtarisht nga vendi ynë për t'u zëvendësuar nga përfaqësuesi i radhës Aleksandër Arvizu. Ambasadori do të ndjekë itinerarin Rinas-Gjermani - SHBA. Para se të përfundonte detyrën, ambasadori Uidhers zhvilloi takime të veçanta me krerët më të lartë të vendit tonë.


Ambasadori do të mbahet mend për rolin e tij mjaft aktiv në jetën politike duke lëshuar disa herë deklarata mjaft të forta në drejtim të qeverisë. Kjo shkaktoi edhe një tensionim të marrëdhënieve me kreun e mazhorancës sidomos pas ngjarjes së Gërdecit apo edhe ndryshimet që qeveria kërkoi t'i bëjë ligjit për Shërbimin Informativ Shtetëror.


John L. Withers II (Xhon Uidhers) u konfirmua nga Senati si Ambasador i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri më 28 qershor 2007. Para marrjes së këtij emërimi, Dr. Uidhers ka shërbyer nga viti 2003-2005 si Drejtor i Qendrës së Operacioneve në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe, nga viti 2001 -2002, si Drejtor i Zyrës së Çështjeve të Evropës Veriore e Qendrore.


Nga viti 1997-2000, Ambasadori Uidhers ka qenë Zëvendës Shef i Misionit në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Riga, Letoni. Ai ka shërbyer si Ndihmës Special i Zyrës së Zëvendës Sekretarit të Shtetit nga viti 1993-1996. Në shator pritet që ta marri detyrën ambasadori i ri i SHBA-së.

PS: Të zbardhet letra sekrete


Partia Socialiste i kërkoi dje kryeministrit Berisha të zbardhë letrën me ankesa që ministri Meta i ka dërguar Departamentit Amerikan të Shtetit. Socialistët kërkuan prej kreut të qeverisë që të mos heshtë dhe të reagojë lidhur me letrën e dërguar në 27 maj. "Sot ne i kërkojmë Sali Berishës të zbardhë përmbajtjen e letrës ankesë të dërguar në departamentin e shtetit. Çfarë shkruhej në atë letër?


Cilat ishin akuzat që ajo përmbante?", -theksoi zëdhënësja e Partisë Socialiste Armela Imarej. Selia rozë kërkoi informacione për akuzat që sipas socialistëve janë shkruar për ambasadorin Uidhers dhe që janë hedhur poshtë nga departamenti amerikan i shtetit. " Sali Berisha të zbardhë letrën që ka dërguar ministri i tij i jashtëm. Përgjigja e Departamentit të Shtetit tregon mbi rëndësinë e letrës, e cila sot duhet bërë publike", -u shpreh zëdhënësja e PS-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›