Bushati: Imuniteti, jo i vetmi detyrim për BE

Ditmir Bushati
TIRANË- Partia Socialiste, duke ritheksuar se kufizimi i imunitetit është vetëm pikënisje e luftës antikorrupsion e duke përsëritur faktin se 6 gushti është një datë e njëanshme e kryeministrit, apelon për të votuar bashkërisht me ndryshimet kushtetuese për imunitetin edhe ato për sistemin e drejtësisë.
Në një deklaratë për mediat, deputeti i PS-së, Ditmir Bushati theksoi se data 6 gusht nuk përfaqëson afat të përcaktuar nga Brukseli as ndonjë datë të vendosur bashkërisht e me konsensus e nga forcat politike, ajo është thjesht në datë e përcaktuar njëanshëm nga Berisha.
Sipas tij, kufizimi i imunitetit në asnjë rrethanë nuk mund të barazohet me detyrimet që ka vendi në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Për ne kufizimi i imunitetit është vetëm pikënisja që duhet të shoqërohet me masa të qarta antikorrupsion. Ai duhet të shoqërohet me veprime kushtetuese- tha ai, duke shtuar se Meqë jemi duke ndërhyrë në kushtetutë kemi propozuar reforma të tjera për drejtësinë, pandëshkueshmërinë dhe luftën kundër korrupsionit.