Topi takim me anëtarët e FRD: Rikthehem zyrtarisht në politikë
Pas largimit nga presidenca, ish-presidenti Bamir Topi është rikthyer zyrtarisht në politikë. Ai ka zhvilluar sot një takim me anëtarët e Partisë “Fryma e re Demokratike” duke hedhur kështu edhe hapin e parë të rikthimit të tij në politikë. Në një prononcim për mediat, Topi ka theksuar se zyrtarizimi final i angazhimit të tij në politikë do të jetë në fund të këtij muaji në selinë e FRD-së.
“Këtë takim e konsideroj si hapin e parë publik të procesit të rikthimit tim në politikë. Jam i bindur tashmë se takimi tjetër do të realizohet në selinë e re të FRD, një forcë e re politikë që në vizionin politik e ka bërë të qartë që do të jetë në funksion të plotë të aspiratës qytetare dhe më ka pëlqyer një shprehje e saktë e Oketës, kur është pyetur për aleancat e mundshme, ne do e kemi me qytetarin” ka theksuar Topi.
I pyetur për aleanca të mundshme në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, Topi ka deklaruar se duke folur nga pozicioni personal është dakord me Oketën. “Sot flas nga një pozicion personal se kur të zyrtarizohet pjesëmarrja ime do jemi të kujdesshëm që vendimit të jenë të partisë. Unë shkoj në sintoni me Oketën, aleanca vetëm me qytetarin dhe jo me atë psikologji dhe atë politikë që konsiderohen parti të vjetra” tha Topi.
Topi është pyetur nga mediat edhe në lidhje me pozicionin e tij në FRD por ish-presidenti nuk dha detaje nëse i është ofruar posti i drejtuesit të kësaj partie, duke pranuar se ai kthehet në politikë si misionar. “Nuk e lidh këtë me një pozicion të caktuar, kjo di ti takojë të ardhmes. Rotacioni vjen nëpërmjet votës së popullit. Mjaft politika në vend kanë sjellë një zhgënjim që vjen më shumë nga zëri i qytetarit” ka shtuar ai.
Ndërsa kryetari i grupit nismëtar Gazmend Oketa ka falenderuar ish-presidentin Topi që pranoi ftesën për t`u njohur me programin politik të partisë. "Eksperienca e ish presidentit Topi, si një nga politikanët më të sofistikuar do të jetë një aset i shtuar dhe i mirëpirutur në FRD” shtoi Oketa.