E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bushati takon përfaqësuesen e OSBE-së dhe prezantohet me stafin e MPJ-së

TIRANË- Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati priti sot në një takim përfaqësuesen e OSBE-së për Lirinë e Shtypit, Dunja Mijatovic. Përfaqësuesja e OSBE-së ndodhet në Tiranë për të ndjekur punimet e Konferencës së Evropës Juglindore për Mediat.

Mijatovic pasi uroi ministrin për detyrën vlerësoi vullnetin e qeverisë për përmirësimin e mëtejshëm të legjislacionit në fushën e lirisë së medias. "Ligji të garantojë funksionimin e mediave të lira, të ndershme dhe të paanshme."

Bushati siguroi përfaqësuesen e OSBE-së për një bashkëpunim të vazhdueshëm me zyrën e saj, me synim përmirësimin e standardeve ligjore të së drejtës së informimit për të gjithë qytetarët.

Ministri Bushati vuri theksin në rëndësinë e përafrimit të legjislacionit shqiptar mbi lirinë e medias sipas standardeve të KiE-së dhe OSBE-së, si një nga kriteret për avancimin drejt integrimit në BE.

Po ditën e sotme ministri Bushati zhvilloi një takim me stafin e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Pasi i falenderoi punonjësit për punën e kryer deri më tani theksoi disa nga prioritet e politikës së jashtme të përcaktuara në programin e qeverisë së re. Objektivi kryesor mbetet integrimi i vendit në Bashkimin Evropian si dhe një prezencë të re të Shqipërisë në rajon.

Më pas ministri Bushati zhvilloi një takim të veçantë me drejtorët e MPJ-së, ku u njoh me punën dhe kompetencat e çdo drejtorie, me aktivitetet më të afërta të MPJ-së, por edhe me problematikën e Ministrisë së Jashtme dhe sfidat e ardhshme.
Ministri Bushati prezantoi sot dhe kabinetin e tij, një staf krejtësisht i ri. 

(a.h/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›