E Martë, 3 Nëntor 2026

Bushka: Komisioni hetimor për inceneratorët, u kthye në hetim penal

Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klodilta Bushka ka deklaruar në studion e emisionit “3D” në RTSH 1 se komisionet hetimor që kërkon opozita rrezikojnë të kthehen në organe të hetimit penal.

Ajo thekson se komisionet hetimore nuk mund të përfundojnë në komisione hetimor të natyrës penale, ndërsa nënvizoi se duhen respektuar disa parime kushtetuese.

“Kushtetuesja thotë se nuk mund të ngatërrohet komisioni hetimor me atë të ndonjë organi tjetër, pra komisioni hetimor penal. Komisioni hetimor duhet të ketë një qartësi në ushtrimin e funksioneve të veta. Duhet të jetë për një çështje të caktuar.

Nuk mund të jetë për çështje që kanë në thelb veçantinë e tyre. Duhet të respektojë disa parime të rëndësishme kushtetuese siç është parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Duhet të respektojë parimin e prezumimit  të pafajësisë si dhe të mbajë në konsideratë të drejtën për një proces të rregullt ligjor. Do të duhet kryhet brenda funksioneve ligjvënëse të Kuvendit”, u shpreh Bushka.

Kryetarja e Komisionit të Ligjeve mori si shembull edhe rastin e komisionit hetimor të Incineratorëve sipas së cilës ai përfundoi në një organ të hetimit penal.

“Menjëherë pas komisionit hetimor të inceneratorëve morëm si përgjegjësi si ne të pozitës dhe opozitës  për të bërë një ligj të ri për të rregulluar ato defekte që kishte paqartësia e disa normave dhe moskuptimi i normave në zbatim.

Ajo që u shkel në atë që janë parimet të punës hetimore të komisioneve ka të bëjë me faktin se Kuvendi nuk arriti dot të respektojë hetimin parlamentar, u bë një organ i hetimit penal”, shpjegoi Bushka.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›