E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bush,ngushëllon Indinë pas sulmeve

Presidenti amerikan Xhorxh Bush po i shpreh ngushëllimet popullit Indian dhe po ofron mbështetjen e tij për qeverinë indiane pas sulmeve terroriste në Bombei gjatë të cilave mbetën të vrarë gati 200 vetë.
Presidenti Bush foli shkurtimisht me gazetarët ndërsa po kthehej në Shtëpinë e Bardhë nga pika presidenciale e pushimeve Kemp Dejvid, ku zoti Bush dhe bashkëshortja e tij kaluan Festën e Falenderimit.
"Do të mbështesim plotësisht qeverinë indiane ndërsa India zhvillon hetimet në lidhje me ngjarjet dhe sjell fajtorët para drejtësisë".
Zoti Bush tha se administrata e tij po e ndjek me vëmendje situatën në Indi pas sulmeve në Bombei. Ai zhvilloi dje në videokonferencë me Sekretaren e Shtetit Kondoliza Rajs, ambasadorin amerikan në Indi, Dejvid Mallford dhe zyrtarë të tjerë të sigurisë kombëtare. Gjatë javës presidenti i telefonoi kryeministrit indian Manmohan Sing për t'i ofruar atij ngushëllimet dhe mbështetjen amerikane.Zoti Bush tha dje se ai është i sigurt se populli i Bombeit dhe India do ta tejkalojnë këtë tragjedi.
"Autorët e këtyre sulmeve janë mizorë dhe të dhunshëm por terrori nuk do t'ia dalë të fitojë këtë betejë. Populli i Indisë është i fortë. Ata kanë ndërtuar një demokraci shumetnike që do ta kapërcejë këtë sulm." Presidenti Bush siguroi kryeministrin indian Sing dhe popullin e Indisë se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t'i mbështesin ata. Zoti Bush tha se zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë po punojnë për të garantuar që shtetasit amerikanë në Indi të jenë të sigurt. Presidenti tha se administrata e tij po mban të informuar presidentin e zgjedhur Barak Obama. Zoti Obama i telefonoi kryeministrit indian Sing për t'i shprehur ngushëllimet e veta për këtë tragjedi. Zoti Obama theksoi se Shtetet e Bashkuara kanë vetëm një president, por premtoi se do t'i ndiqte me kujdes zhvillimet në rajon. Zoti Obama po kështu foli me sekretaren Rajs në lidhje me ngjarjet në Indi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›