Bustet që mbajnë peng demokracinë
Nertila Marku/zëdhënëse e FRD-së
-Të dashur liderë shqiptarë! Jam një e re shqiptare. Jam shumë kurioze të di; si ka mundësi që jeni kaq të ngjashëm edhe pas kaq vitesh? Po nëse jeni kaq të ngjashëm, pse lodheni duke na kërkuar të bëjmë diferenca të mëdha mes jush? Një herë e një kohë edhe prindërit e mi u ngazëllyen bashkë me ju, duke rrëzuar bustin, dhe duke menduar se do ishte i fundit. Sa kot iu paska shkuar mundi! Si mendoni ju se ndihem unë kur i shoh ata të zhgënjyer, të tradhtuar pas 20 vitesh? Në këto kushte, ju gënjen mendja se do bëj të njëjtin gabim? Harrojeni! Edhe pse ju dhamë mundësinë, pasi koha nuk ishte e mjaftueshme sipas jush, neve mbi 20 vite tashmë na duken të çmuara, sepse fatkeqësisht i humbëm. Kaq rezistencë ka fytyra juaj e parë, që të ketë guximin për të premtuar sërish? E çfarë mund të premtoni kësaj radhe? Sa herë shoh më del parasysh një skenë e trishtë: gjaku që vret gjakun për tokën, për ligjin që s’ka legjislator në botë që mund t’i gjente tani zgjidhje me gjithë gjullurdinë që keni krijuar, dhe në vend të zgjidhjes kërcasin përsëri pushkët. Kur marr vesh se jeni sëmurë, më vijnë ndër mend qindra ish-minatorë të cilëve pensioni qesharak, s’u del as për të marrë frymë. Ish të-përndjekur, që vazhdoni t’i përndiqni me mosmirënjohje ndaj vetëdijes historike të popullit tonë. Nëse do kemi fatin që të bëhemi të përgatitur nga vullneti dhe nga sistemi arsimor që na hallakat çdo ditë me çudira, atëherë ka mundësi që do kemi dëshirë të zbatojmë ligjin. Që mos të na jepet mundësia të emërtohemi “lavire bulevardi”, edhe pse tashmë “laviret” e këtij lloji të duken të shtrenjta për t’u blerë. Rrëzuat një beton, por sa lapidarë i ngritët bijve pafaj të nënave shqiptare?! Pikërisht pse kërkonin me të drejtë të ardhmen e fëmijëve. Le pastaj lojërat tuaja të blloqeve të përbashkëta, që i nxirrni nga xhepi i tjetrit sa herë shihni se kanë më shumë fleta çeqesh se ju. Vrisni, talleni, hani, pini e pastaj çeqet tuaja i firmos populli! Mjaft u dhamë kohë. Por, ç’është më e rëndësishmja, çdo gjë e ka një fund. Dhe shqiptarët duhet dhe do të vendosin që edhe kësaj mizerhaneje, t’i japin fund më 23 Qershor, duke bashkuar forcën e rinisë me maturinë e të gjithë shqiptarëve të tjerë krah për krah me ata qe rezistuan me kokë lart pa u përlyer nga (ar) miqtë e tyre të 1990-s. Kështu, mbi këtë forcë me bazë morali të provuar, do i përvishemi misionit që në një të ardhme të shpejtë, të puthim të lirë tokën e gjyshërve, apo atë më të cilën bëjmë marrëveshjen njerëzore e ligjore, pa patur frikë se del komshija apo të mbin nga fundi i i dynjasë tjetri me tytë duke të thënë: “Çfarë do mbi themelin e shtëpisë sime”? Që të vetëdijshëm për historinë, t’i japim me krenari mbështetjen maksimale ish- të përndjekurve. Të zbatojmë ligjin duke mos e vënë drejtësinë në bankën e të akuzuarve, të arsimohemi dhe të konkurrojmë për atë që dimë të bëjmë dhe jo për atë që di të bëjë nepotizmi. Këtyre gjërave, ju 20 vjet nuk ia patët idenë, ndaj s’ka më mundësi për ju, sepse tani ndryshe nga ju që si ndryshoni kurrë rregullat për hatrin e egoizmit tuaj, rinia tashmë duhet të jetë e vendosur t’i ndryshojë rrënjësisht për të mbështjellë me drejtësi lapidarët, duke rrëzuar bustet që mbajnë peng demokracinë.