Ushtrimet shpirtërore në Vatikan. Kardinali Ravazi: ashtu si Moisiu, Papa do t’i lutet Zotit për popullin e vet
Mbrëmë, në Kapelën Redemptoris Mater në Vatikan, filluan Ushtrimet shpirtërore të Krezhmëve për Papën dhe Kurien Romake. Ato mbahen nga kryetari i Këshillit Papnor të Kulturës, kardinali Xhanfranko Ravazi e, do të përfundojnë më 23 shkurt. Tema e këtij viti është “Ars orandi, ars credendi. Fytyra e Zotit dhe fytyra e njeriut në lutjen psalmike”.
Lutja është frymëmarrje, ajër, mendim, thirrje e dashuri për Zotin. Këto përkufizime, të rreshtuara njëra pas tjetrës në Psalme, qenë në qendër të meditimit të sotëm, ndërsa dje, kardinali Ravazi propozoi një imazh biblik, për të shpjeguar të ardhmen e pranisë së Benediktit XVI në Kishë, prani kundruese, si ajo e Moisiut, që ngjitet në mal për t’u lutur për popullin e Izraelit, i cili, poshtë në luginë, po luftonte kundër Hamalekut: “Ky imazh përfaqëson funksionin kryesor – tuajin – për Kishën, pra, ndërhyrjen, veprimin e ndërhyrjes: ne do të mbetemi në “luginë”, në atë luginë ku ndodhet Hamaleku, ku ka pluhur, ku ka frikë, terror dhe ëndërra të këqia, por edhe shpresë; aty ku ju qëndruat me ne gjatë këtyre tetë vjetëve. Por, sot e tutje, ne e dimë se, në majë të malit, ju ndërhyni pranë Zotit për ne”.
Pastaj, heshtja e reflektimi parapriu meditimin e parë, gjatë të cilit, kardinali Ravazi e përqendroi vëmendjen në çlirimin nga zhurma e jetës së përditshme: “Mendoj se edhe për ne, ushtrimet shpirtërore janë pak si të çlironim shpirtin nga pluhuri i gjërave, nga balta e mëkatit, nga rëra e kotësive, nga hithrat e thashethemeve, të cilat, sidomos gjatë këtyre ditëve, na i zënë pa pushim veshët”.
Fjala e Zotit, që zbulon e krijon: në këto dy drejtime e përvijoi meditimin e sotëm (djeshëm) kardinali Ravazi. Kujtojmë se meditimet ditore të ushtrimeve shpirtërore në Vatikan janë tre e, çdo ditë, do të shkëpusim njërin prej tyre. Sot, përmbledhja e meditimit të paradites. Prelati theksoi se lutja e feja lindin nga Hiri Hyjnor. Në fillim, teofania, nënvizoi kardinali Ravazi, zbulesa e Hyjit, që është Fjala e Tij: “Cila është fytyra e parë, me të cilën na paraqitet Zoti? Zbulesa e parë e Zotit është Fjala. Hiri i Tij i besohet Fjalës. E është e rëndësishme të vërejmë se që në fillim të Besëlidhjes së Vjetër e të Re përdoret Fjala. Zoti tha: “Të bëhet dritë. E dritë u bë”. Krjimi pra është ngjarje me tinguj, është Fjalë, është realiteti paradoksalisht më njerëzor, ai realitet, që është jashtëzakonisht i brishtë – pasi sapo thuhet, shuhet – por njëkohësisht, sjell fryte të veçanta, pasi pa fjalën nuk do të ekzistonte komunikimi”. Reflektimi i kardinalit Ravazi u frymëzua nga Psalmi 119, në të cilin Fjala udhëheq në mes të mjegullës. Një dritë që shqyen errësirën, sidomos në kulturën e sotme, e cila, krejtësisht e pasigurtë në vetvete, e konsideron moralin të panevojshëm, i vesh ngjarjet me një gri të përhershme indiference, për të mos mbajtur qëndrim as për mirë, as për keq. Prandaj, ballafaqimi me Fjalën e Zotit bëhet thelbësor, si e vetmja që na tregon shkallën e vlerave të vërteta, duke na larguar nga antivlerat e kësaj bote, me bazë pasurinë, paranë, pushtetin.
Fjala e Zotit e ka brenda besimin në Të. Në Psalmin 23 – tjetër psalm i marrë si shembull nga kardinali Ravazi – Zoti është bari, që udhëheq grigjën e vet, por edhe shok udhe. Pra, Hyji na tregon të vërtetën nga njëra anë, por edhe dashurinë e Tij, nga ana tjetër, duke na shoqëruar drejt një horizonti të vetëm, drejt Tempullit, drejt sofrës në të cilën Ai vetë ofrohet si ushqim për shëlbimin e njerëzve, pra, drejt kremtimit të liturgjisë: “Fjala, si epifania e parë e madhe, së cilës i thuren këngë në Librin e Psalmeve e, që unë e zbuloj duke u lutur. Dëgjoj jo vetëm fjalët e mia, por edhe Fjalën e Zotit, që jehon brenda meje”.
Fjala e Zotit shihet edhe në të gjitha krijesat, në Gjithësinë e krijuar prej Hyjit. Psalmi 19 përshkruan bukur se si gjithçka ka krijuar Zoti shpall lavdinë e Tij. Prandaj, nënvizoi kardinali Ravazi, duhet t’i kthehemi natyrës, të kundrojmë veprën e duarve të Hyjit: “Mungesa e mahnitjes së njeriut bashkohor është shenjë cektësie. Përkulet para veprës së duarve të veta, i paaftë t’i ngrejë sytë kah qielli, të admirojë thellësisht dy skajet e universit dhe mikrokozmosin. E kjo e ka çuar njeriun, të privuar nga kundrimi i gjithësisë, të shkatërrojë tokën, duke e përdorur vetëm si mjet. Nuk e kupton më tokën si motër”.
Pas citimit të Shën Françeskut, kardinali Ravazi vijoi me një reflektim mbi dialogun e fesë me shkencën, temë e dashur për Papën teolog. Feja shpjegon psenë e sendeve, ndërsa arsyeja si janë ato. Kësaj radhe, kardinalit i vjen në ndihmë filozofi francez Paskal, i cili thoshte se duhet shmangur si përjashtimi i arsyes, ashtu edhe glorifikimi i saj. Paskal tregon udhën e dialogut ndërmjet fesë dhe arsyes, duke nënvizuar një ndryshim thelbësor: “gjërat njerëzore duhen kuptuar që t’i duash, ndërsa gjërat hyjnore duhet t’i duash që t’i kuptosh”. Harmonia e dy udhëve pasqyrohet bukur në Psalmin 19, me dy pamjet e Diellit, i cili është yll në qiell, nga njëra anë, por përdoret edhe për të përkufizuar Fjalën e Zotit, nga ana tjetër: “Pra, Dielli flakëron në qiell e na flet për zbulesën kozmike. Por, pastaj, kemi Fjalën e Zotit, që është tjetër Diell e që na ndriçon plotësisht. Ja pra, fjala që zbulon e fjala që krijon”.
Kisha është e Krishtit: trashëgimi më i madh i Benediktit XVI/Cili është imazhi i Benediktit XVI për Kishën? Ç’trashëgim i lë pasardhësit të vet? Janë disa nga pyetjet, që shpesh ngrenë kryet në media e gjetiu. Në të vërtetë, do të mjaftonte t’u ktheheshim fjalëve të Papës gjatë javës së kaluar e do ta kuptonim përgjigjen. “Kisha është e Krishtit” pohoi me forcë Ati i Shenjtë. Kisha ka nevojë “të rinovohet në shpirt”, theksoi dje. Por le të përshkojmë edhe ne, me fjalët e Papës, veprimtaritë e fundit të Benediktit XVI, para se të fillonte javën e ushtrimeve shpirtërore, që po vazhdon në Vatikan. “Për të mirën e Kishës”. Që nga fillimi i shërbimit të tij papnor, Jozef Racinger e vuri jetën e vet në shërbim të Kishës së Krishtit, me gjeste, me fjalë e me gjithë vetveten. E mira e Kishës së pari, sepse Kisha, thoshte shpesh Papa, nuk na përket neve, madje, nuk i përket as Shën Pjetrit, gurit mbi të cilin është ndërtuar. Kisha është e Krishtit. Ky është edhe kuptimi më i thellë i tërheqjes së Atit të Shenjtë: “E bëra këtë me liri të plotë, për të mirën e Kishës, pasi u luta gjatë dhe rrëmova ndërgjegjen time, para syve të Zotit,... Më ndihmon e më shndrit siguria se Kisha është e Krishtit, i Cili nuk do ta lërë kurrë pa drejtim e kujdes”. (Audienca e përgjithshme, 13 shkurt 2013). Nëse Kisha është e Krishtit, atëherë nuk mund të pajtohen me të protagonizmi, ndarja, mendimi se jam “unë”, që vendos, e jo Zoti. Jo më kot, Benedikti XVI hoqi dorë nga shërbimi i vet gjatë Krezhmëve, kohë e fuqishme pendese, kthimi e përtëritjeje shpirtërore. Rinovim, që fillon me denoncimin e së keqes: “Mendoj sidomos për fajet kundër bashkimit të Kishës, për ndarjet e korpit kishtar. Të jetohen Krezhmët me një bashkim kishtar më të fuqishëm e më të dukshëm, duke kapërcyer individualizmat dhe rivalitetet, është shenjë e përvuajtur dhe e çmuar për ata, që rrinë larg fesë, ose për indiferentët”(Riti i së Mërkurës së Përhime, 13 shkurt 2013).
Këndvështrimi i Papës për të ardhmen e Kishës nuk është aspak pesimist. Përkundrazi. Me bindje, Benedikti XVI na kujton se “e ardhmja është e Zotit” dhe se Kisha është e gjallë, “gjithnjë e re”, sepse Krishti është i gjallë, “Ai është ringjallur vërtet”. Atëherë, e ardhmja duhet parë me besim, duke jetuar shpirtin e Rrëshajëve, karkateristik për Koncilin II të Vatikanit, busull e sigurtë e Kishës në detin e trazuar të kohëve: “Ne shkuam në Koncil jo vetëm me gëzim, por edhe me entuziazëm. Ishin ditë të jashtëzakonshme pritjeje. Shpresonim që gjithçka të rinovohej, mendonim se po vinin Rrëshajë të reja, epokë krejt e re për Kishën”(Takimi me meshtarët romakë, 14 shkurt 2013). Epokë e re për Kishën, që fillon duke u kthyer në zemrën e krishterimit, në takimin me Jezusin. Ja cili është programi i vetëm i vërtetë, që Benedikti XVI na beson për të ardhmen: të dëgjojmë Fjalën dhe të bëjmë vullnetin e Zotit, ta lemë veten në dorën e Tij: “Kisha, që është nënë e mësuese, u bën thirrje të gjithë anëtarëve të saj të rinovohen në shpirt, të orientohen sërish me vendosmëri kah Zoti, duke mohuar mendjemadhësinë dhe egoizmin, për të jetuar në dashuri. Në këtë Vit të Fesë, Krezhmët janë kohë e përshtatshme për të rizbuluar fenë në Zotin, si kriter-bazë për jetën tonë e të Kishës” (Lutja e Engjëllit të Tënzot, 17 shkurt 2013).
Marrë nga Radio Vatikani