Busti i Skënderbeut rrezikohet nga gërmimet, pezullohen punimet
Monumenti dhe sheshi mu në mes të qendrës së Tiranës i cili është kthyer tashmë në mollën e sherrit midis liderëve të partive, ministrive, apo më së fundmi edhe Institucionit të Monumenteve të Kulturës, e Bashkisë së kryeqytetit duket sikur po rënkon nga gërmimet e heqjet e shtyllave mbajtëse që duken sikur do të bien nga momenti në moment.
Ditën e djeshme në një vëzhgim të kryer nga gazeta SOT vihej re qarte se punimet kishin ndaluar e makineritë e rënda nuk po gëlonin me zhurmat e tyre shurdhuese. Madje kjo gjë nga njëra anë ngacmoi edhe kuriozitetin e qytetarëve të ndryshëm disa prej të cilëve e presin me padurim tjetërsimin e këtij sheshi, e të tjerë e mohojnë shndërrimin e tij me zë të lartë. Në rrëzë të monumentit të Skënderbeut duken shtyllat mbajtëse të tij të cilat kanë disa ditë që janë zhvendosur nga rrënjët. Në lidhje me këtë ditën e djeshme vetë punëtorët e Bashkisë së Tiranës kanë pohuar për gazetën se puna ditën e djeshme, është bërë me ritme tepër të ngadalta dhe pothuajse ka ndaluar, për shkak se janë në pritje të një specialisti ose nga Bashkia ose nga firma ndërtuese për tiu shpjeguar veprimet e mëtejshme në lidhje me gërmimet apo heqjet e shtyllave pranë monumentit. Gjatë punimeve të ditëve të fundit janë zhvendosur përreth monumentit pothuajse 8 prej shtyllave mbajtëse të pllakave të mermerit të cilat janë ngjitur me njëra tjetrën. Kjo gjë sipas vetë punëtorëve nëse vazhdon mund të shkaktojë edhe ndonjë lëvizje të lehtë të gurëve mbajtës të monumentit. Por nga ana tjetër punëtorët ankohen se gjatë këtyre ditëve kanë punuar në kushte skandaloze pune dhe kjo gjë përbën një rrezik të vazhdueshëm për ta.
Gjoba
Edhe pse gati një javë më parë Bashkia e Tiranës është sinjalizuar se është gjobitur me 2 milion lekë nga Inspektorati i Mjedisit për mospajisjen me leje mjedisore punimet në sheshin Skënderbej kanë vazhduar rishtazi. Madje janë shtuar ditën e djeshme makineritë e rënda që dukeshin sikur do të shkulnin nga rrënjët monumentin e heroit tonë kombëtar mu në mes të Tiranës në mesin e ditës. Vetë kreu i Bashkisë Rama duket sikur e ka sfiduar faktin e gjobës duke vijuar më tej punimet madje duke hequr edhe 8 kolona mbajtëse të monumentit. Në këtë kontekst Bashkia e Tiranës nuk e ka marrë parasysh faktin se gjoba e vendosur nga Ministria e Mjedisit si një ndër masat ndëshkimore për punimet në shesh mund të sjellë edhe thellimin e mëtejshëm të konfliktit të heshtur midis dy institucioneve. Në lidhje me punimet e sheshit do të ndiqen të gjitha hapat ligjore për ekzekutimin e urdhrit më të fundit për pajisjen me leje mjedisore të Bashkisë së Tiranës për vazhdimin e punimeve në shesh. Pretendimet e Bashkisë se janë kryer procedurat për të marrë këtë leje janë të padrejta dhe se në Ministrinë e Mjedisit nuk figuron asnjë dokumentacion i cili paraqet kërkesën apo dosjen për aplikimin për leje mjedisore. Në lidhje me këtë Bala ka theksuar faktin se nëse punimet vazhdojnë atëherë nga Inspektorati i Mjedisit do të merren masa edhe më të rënda deri në pezullimin e punës. Por në lidhje me këtë problem edhe këshilltari i çështjeve të Mjedisit Aleksandër Garuli, ka deklaruar ditën e djeshme se nuk figuron realisht një kërkesë e protokolluar nga bashkia e Tiranës pranë ministrisë së Mjedisit për leje mjedisi në mars të 2009. Sipas Garulit edhe nëse do ishte një kërkesë e tillë e rregjistruar pranë ministrisë së Mjedisit. Pra ligji për miratimin në heshtje nuk e përfshin këtë kërkesë të bashkisë së Tiranës.
Sheshi në gjendje të turpshme, Rama e arnonte 1 herë në 4 vite
Midis fajësimeve të ndryshme për projektin e sheshit i cili ka gati dy vjet që fle në sirtarët e bashkisë Rama për të dalë nga situate e në përpjekje për të rregulluar imazhin e keq, ka nisur menjëherë punën në sheshin Skënderbej. Pas këtij reagimi, ministri Olldashi mbajti një konferencë për mediat, në të cilën tha se Bashkia e Tiranës refuzoi ndihmën e qeverisë në vend që të bashkëpunojë për përmirësimin e infrastrukturës publike në shërbim të qytetarëve. Është kontraktuar një fond, 10 milionë USD ndihmë e qeverisë kuvajtiane që kur Kryeministri i Kuvajtit vizitoi Tiranën, dy vite më parë, fondi i është ofruar Bashkisë dhe Bashkia e ka sorollatur këtë çështje. Në fakt, sheshi është në gjendje të turpshme prej shumë kohësh dhe askush nga bashkia nuk e ka vënë ujin në zjarr për të bërë qoftë edhe një rehabilitim të përkohshëm. Inxhinierët dhe arkitektët që do të përpilojnë projektin dhe do të përpiqen të ndryshojnë imazhin e kryeqytetit të Shqipërisë janë pjesëtarë të kompanisë Architecture-Studio. E krijuar në vitin 1973 në Paris nga 8 arkitektë të asociiuar dhe nga qindra arkitektë dhe inxhinierë urbanistë nga kombësi të ndryshme, ajo ka realizuar disa projekte të spikatura në shumë vende. Të tilla mund të përmenden si: Ndërtesa e Parlamentit Evropian në Strasburg, Instituti Arab në Paris, Shtëpia e Arteve të Bukura dhe Letrave në Athinë, Universiteti i Dukendouf në Francë, Salla e Ekspozitave në Paris, një hotel në Torino, Kullën e zyrave në Zuo Ying në Kinë, Masterplanin e Qendrës Tregtare në Shangai, Kinë, Bulevardin në Makkal të Arabisë Saudite, Masterplanin e fshatit Olimpik në Greqi, etj. Zyrtarisht ministria e Punëve Publike pak kohë më parë ka bërë të ditur se nuk është marrë ende një vendim për këtë çështje dhe dilema është e madhe për shkak të privatizimit të saj. Punimet në sheshin "Skënderbej" kur të fillojnë, do të kryhen sipas një projekti të hartuar nga studioja belge 51 N4E, e cila fitoi konkursin ndërkombëtar e organizuar për këtë qëllim, një vit më parë. Ky projekt e ngre në nivel qendrën e sheshit. Bashkia e Tiranës në lidhje me realizimin e projektit belg filloi shembjen e ndërtesave në afërsi të qendrës së kryeqytetit me qëllim për ti hapur rrugë gjurmës së unazës, në kohën kur punimet në sheshin Skënderbej po vazhdojnë dhe pritet të shkaktojnë bllokimin e qarkullimit.
Si pritet të shndërrohet sheshi me projektin e studios Belge
Ndryshimi i madh i sheshit Skënderbej mesa duket do të prekë fuqishëm edhe institucionet tona kombëtare. Pas një konkursi ndërkombëtar, u shpall fituese studioja holandeze 51N4E. Ajo ka parashikuar t'u japë rëndësi godinave aktuale dhe me vlera arkitekturore. Godina e Teatrit te Operës do të jetë e plotësuar me një holl të madh, ku do të zhvillohen aktivitete. Xhamia do të kornizohet nga një dysheme e re e duket sikur është ulur mbi një qilim madhështor. Ndërsa ndërtesat e ministrive janë trajtuar në një linjë me kopshtin e fundosur. Përsa i përket Teatrit të Kukullave mbi shesh, ai do të lidhet me një kënd të ri lojërash para tij. Ndërkaq, Banka e Shqipërisë do të shfaqet mbi një platformë të re përpara saj. Qendra e re tregtare propozohet e ngritur nga toka për të lejuar një hapësirë, e cila krijon një hyrje të madhe në shesh, duke kornizuar njëherësh kolonadën e ndërtesës së Operës. Funksionet tregtare plotësohen nga një hapësirë ekspozitash për ngjarje kulturore. Muzeu Kombëtar lidhet ndryshe me sheshin, nëpërmjet shkallëve kryesore, të riorganizuara. Në momentin kur punimet e qendrës të kenë përfunduar, pritet të stabilizohet çështja e trafikut dhe e parkimit.