Rama takim me fëmijët në kopshte, premton psikologë në kopshte e çerdhe
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama ka zgjedhur çerdhen nr. 8 në Tiranë për të bashkëbiseduar me prindërit dhe edukatoret që i kushtojnë çdo ditë një pjesë të madhe të kohës edukimit dhe zhvillimit të fëmijëve që i përkasin moshës 0-3 vjeç. Me transformimin e infrastrukturës, me rindërtimin e shumë çerdheve e kopshteve, doli si domosdoshmëri përmirësimi i cilësisë së shërbimit,
duke filluar që nga cilësia e ushqimit, trajtimi i fëmijëve, qoftë nga ekipi edukator, qoftë edhe nëpërmjet futjes së mjekut psikolog, si një element i ri dhe i domosdoshëm, ashtu siç ndodh në të gjithë botën e qytetëruar. Është kënaqësi që ne sot të kemi përpara një anketë e cila tregon se 96% prindërve që sjellin fëmijët në çerdhe janë të kënaqur me ushqimin e tyre, tha Rama.
Kopshtet dhe çerdhet në Tiranë frekuentohen nga 6800 fëmijë, të cilët kanë një trajtim cilësor përsa i përket edukimit por edhe ushqimit. Rama ka treguar se gjatë këtij viti do të përfundojë ndërtimi i 14 çerdheve dhe kopshteve dhe do të ndërtohen 4 ndërtesa të reja. Gjate 2011 është parashikuar ndërtimi i 23 objekteve të reja.