E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti 2012, ja fondet për rrogat në bashki dhe komuna

SHKRUAN: Blerina Hoxha 21-12-2011 12:00

Ministria e Financave në buxhetin e vitit që vjen ka ulur me 5% fondin nga granti i pakushtëzuar për rrogat që pushteti vendor jep për administratën e tij gjatë vitit 2012. Ja përqindjet për të gjitha bashkitë dhe komunat

Transfertat e pakushtëzuara, që buxheti qendror ia transferon pushtetit vendor, për vitin 2012 kanë kufij 5% më të ulët për pagat e administratës. Ligji i buxhetit 2012, i botuar tashmë në Fletoren zyrtare, sanksionon përqindjet që komunat dhe bashkitë në të gjithë vendin mund të përdorin për të paguar administratën e tyre. Kështu, sipas ligjit të buxhetit 2012, bashkitë, që kanë deri në 20 000 banorë, përdorin deri në 25 për qind të transfertës së pakushtëzuar për koston e personelit administrativ. Një vit më parë ky kufi ishte 30 për qind. Bashkitë, që kanë 20 001 - 50 000 banorë, përdorin deri në 20 për qind të transfertës së pakushtëzuar për koston e personelit administrativ. Një vit më parë ky kufi ishte 25 për qind. Bashkitë, që kanë mbi 50001 banorë, përdorin deri në 15 për qind të transfertës së pakushtëzuar për koston e personelit administrativ. Një vit më parë ky kufi ishte 20 për qind. Komunat, që kanë deri në 3 000 banorë, përdorin deri në 45 për qind të transfertës së pakushtëzuar për koston e personelit administrativ, ndërsa një vit më parë ky kufi ishte 50 për qind. Buxheti i pushtetit vendor për vitin 2012 do jetë jo vetëm më i ulët se viti aktual, por edhe më i vogël se 2010-ta. Duke iu referuar shifrave të projektbuxhetit, për vitin e ardhshëm është parashikuar që shpenzimet totale për pushtin lokal të jenë 29.5 miliardë lekë, ndërsa në vitin 2010 ato arrinin në 30.7 miliardë. Gjatë prezantimit të buxhetit në Kuvend, zyrtarët e financave janë shprehur se bashkitë dhe komunat keqadministrojnë paratë, duke i përqendruar shpenzimet për pagat dhe rritjen personelit në administratën lokale. Ndaj në ligjin e ri për buxhetin bashkive u është ulur me 5% përdorim fondit të pagave, ndërsa komunat nuk janë prekur nga ky ndryshim. Nga ana tjetër, qeveria nuk u ka lënë më dorë të lirë vendoreve për t’i shpenzuar si duan fondet. Ajo i ka venë kusht pushtetit lokal që jo më pak se 10% e granteve të pakushtëzuara që qeveria u jep vendorëve të kalojnë për gjelbërim. Një nga taksat që mund të konsiderohet e dështuar në pushtetin lokal është ajo e pasurisë, ku çdo familje paguan një shumë simbolike në vit për banesën e saj. Sipas ligjit të buxhetit, komunat dhe bashkitë përdorin jo më pak se 10 për qind të transfertës së pakushtëzuar për mbështetjen e pemëtarisë dhe gjelbërimit. Rregullat, procedurat e skema e financimit dhe e bashkëfinancimit miratohen me vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave. Këshilli i Ministrave, nga fondet në dispozicion të tij, rimburson koston e pajisjeve fiskale, në përputhje me kërkesat e njësive të qeverisjes vendore. Rregullat dhe procedurat e rimbursimit përcaktohen me urdhër të ministrit të Financave. Pjesa e të ardhurave nga renta minerare, që u takon njësive të qeverisjes vendore, shpërndahet nga Ministria e Financave, sipas kërkesave të njësive të qeverisjes vendore, në përputhje me procedurat ligjore.

Shpenzimet për paga, klasifikimi i bashkive dhe komunave

Njësitë vendore 2011 2012

1-Bashkitë deri në 20 000 banorë 30% 25%

2-Bashkitë 20 001-50 000 banorë 25% 20%

3-Bashkitë mbi 50 001 banorë 20% 15%

4-Komunat deri në 3 000 banorë 50% 45%

5-Komunat 3 001-10 000 banorë 45% 40%

6-Komunat 10 001-15 000 banorë 40% 35%

7-Komunat mbi 15 001 banorë 35% 30%

8-Këshillat e qarqeve 55% 50%

Fondet nga transferta e pakushtëzuar që përdoren për pagat e administratës vendore

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›