E Diel, 1 Nëntor 2026

Ristani: KQZ s’ndryshon, komisionet e tjera me njerëz jo politikë, pa parti

Komisionet zgjedhore të nivelit të dytë dhe të tretë duhet të jenë apolitike. Ky është sugjerimi që kryetari aktual i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, bën në kuadër të reformës zgjedhore që ka nisur Komisioni i posaçëm parlamentar i drejtuar nga Ilir Rusmali dhe Damian Gjiknuri. Duke folur dje lidhur me këtë reformë, Ristani ka bërë të ditur se është e nevojshme që administrata zgjedhore e niveleve të dyta dhe të treta duhet të jenë apolitike. Madje, jo vetëm kaq, pasi ai është shprehur se KQZ për këtë qëllim ka nisur trajnimet e komisionarëve, të cilët do të shërbejnë për zgjedhjet e ardhshme në komisionet e këtyre nivele. “Unë besoj se administrata zgjedhore duhet të jetë apolitike. Pjesa tjetër e administratës në nivelin e dytë dhe të tretë, do të ishte mirë që të ishte një administratë profesionale, për të cilën KQZ ka nisur dhe punën e tij. Jemi në një proces trajnimi dhe reformimi, në kuptimin që këta komisionerë t’i certifikojmë si njerëz të trajnuar dhe profesionistë dhe partitë të përdorin të tillë njerëz profesionistë në komisionet e dyta dhe të treta zgjedhore”, - tha Ristani. Ndërkohë, nga ana tjetër, ai ka mbrojtur përbërjen aktuale të KQZ-së dhe, duke interpretuar rekomandimet e opinionit të Komisionit të Venecias dhe ODIHR-it, ka theksuar se nuk shtrohet si kërkesë ndryshimi i KQZ-së, por konsensusi i klasës politike për një administratë zgjedhore të mirëpranuar. “Nuk besoj se është kjo kërkesa, por sigurisht është tendenca, është që konsensusi të jetë sa më i gjerë në konfigurimin e KQZ-së. Pra, nuk është domosdoshmëri rikonfigurimi, por konsensusi sa më i gjerë i klasës politike për të patur një administratë zgjedhore të mirëpranuar”, - tha Ristani. Nga ana tjetër, ai ka komentuar edhe për debatin për sistemin zgjedhor, duke theksuar se nuk ka një sistem zgjedhor të keq dhe se çdo gjë varet nga interesat e partive politike. Ndaj ai nuk e ka vlerësuar si domosdoshmëri ndryshimin e sistemit aktual zgjedhor. “Unë them se nuk ka sistem të keq. Të gjitha sistemet janë të mira dhe çdo gjë varet nga interesat politike të klasës politike në rastin konkret. Ndaj në këtë fushë nuk më përket mua të gjykoj, por sipas interesave politike do gjykojnë. Unë di që sisteme të këqija nuk ka, janë të gjitha sisteme që përdoren në të gjithë botën, por pastaj sipas kushteve specifike në vende konkrete zgjidhet njëri sistem apo tjetri. Nuk mund të them që mazhoraritari i përzier me proporcional ishte më i keq sesa sistemi rajonal proporcional; nuk mund të them që sistemi proporcional kombëtar apo i korrektuar janë sisteme të këqija. Janë të gjitha sisteme të mira dhe varet nga interesat e klasës politike se cili është më i përshtatshëm për momentin”, - tha më tej Ristani. Ndërkohë që gjatë mbledhjes së djeshme KQZ e drejtuar nga Ristani ka shtyrë për të enjten vendimmarrjen për kërkesën për referendum, të paraqitur nga një grup prej 16 qytetarësh për ligjin e mbetjeve. Kërkesa për pak sa nuk është rrëzuar dje, teksa kryetari i këtij komisioni ka propozuar që të rrëzohet kërkesa e paraqitur si e pambështetur në kriteret që përcakton ligji përsa i përket anës formale të hartimit të saj dhe bazës ligjore së cilës i referohet. Vetëm ndërhyrja e përfaqësuesve të grupit nismëtar për të patur dhe dy ditë kohë për të korrigjuar gabimet, ka bërë që kërkesa për referendum të mos rrëzohej dje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›