Vret bashkëshorten e dorëzohet një ditë më pas në polici: Isha i dehur
Trupi i pajetë i 50-vjeçares Shpresa Mancaku është gjetur nga vajza e saj, e cila kishte shkuar për vizitë. Policia: Autor është bashkëshorti, ka probleme mendore
Tiranë Një ngjarje e rëndë ka tronditur fshatin Ndroq në periferi të Tiranës mbrëmjen e djeshme. Trupi i pa jetë i një gruaje 50-vjeçare është gjendur në banesën e saj nga vajza, e cila ka shkuar për vizitë në familjen e prindërve. Skena tronditëse me të cilën është përballur vajza ka alarmuar fqinjët e familjes Mancaku. Viktima është identifikuar nga policia si Shpresa Mancaku, 50 vjeçe, e cila është gjetur pa jetë në shtëpinë ku banonte së bashku me bashkëshortin Ylli Mancaku, 57 vjeç. Sipas policisë, krimi është kryer me kallashnikov pas një sherri për motive banale dhe dyshohet se autor i vrasjes është bashkëshorti i viktimës, 57-vjeçari Ylli Mancaku. Ngjarja e rëndë mësohet se ka ndodhur dy ditë më parë në banesën e çiftit Mancaku në fshatin Ndroq, por trupi i pajetë i gruas është gjetur vetëm pasditen e djeshme nga e bija. Pas alarmit të dhënë për këtë ngjarje, policia është vënë në kërkim të autorit, i cili është vetëdorëzuar në komisariatin nr.6 në kryeqytet, mbrëmjen e djeshme. Në momentin e vetëdorëzimit, sipas policisë, autori i dyshuar i vrasjes ka shfaqur paqëndrueshmëri të gjendjes mendore. Ai ka pranuar krimin, duke thënë se ka qenë në gjendje të dehur. Po ashtu, 57-vjeçari ka deklaruar se edhe bashkëshortja e tij ka qenë në të njëjtën gjendje dhe për këtë arsye ata kanë filluar të grinden mes tyre. Në dëshminë e tij, autori i dyshuar i vrasjes së bashkëshortes ka thënë se konfliktet kanë qenë të vazhdueshme, madje ai ka akuzuar gruan se nuk i bindej. “Ka vajtur të marrë vaj pa lejen time”- mësohet të ketë deklaruar 57-vjeçari, që, sipas policisë, në momentet e para nuk ka qenë në gjendje të qëndrueshme, kjo edhe për shkak të dëshmisë që ka dhënë para oficerëve të policisë gjyqësore. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe trupit të viktimës, policia ka mundur të saktësojë se krimi është kryer me armë zjarri tip “kallashnikov”. Gjurmët në dhomën ku ka ndodhur krimi tregojnë se me armën nuk është qëlluar në breshëri, por një prej plumbave ka qenë fatal për 50-vjeçaren, e cila ka ndërruar jetë. Policia ka marrë në pyetje familjarë dhe fqinj të viktimës, të cilët kanë treguar se konfliktet dhe sherret mes bashkëshortëve Mancaku kanë qenë thuajse të përditshme. Nga hetimet e para rezulton se motivi i ngjarjes së rëndë është konflikti në çift, duke degjeneruar në përdorimin e armës nga 57-vjeçari. Autori i dyshuar i vrasjes është marrë në pyetje deri në orët e vona të natës lidhur me krimin, ndërsa në një pjesë të dëshmisë ai ka zbardhur edhe detaje të ngjarjes së rëndë.