E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti 2012, qeveria vetëm 5 mln USD për parlamentin e ri

Ngurrimi i Kuvendit për të lidhur kontratën me studion austriake “COOPHIMELB (L) AU” për realizimin e projektit të zbatimit, duket se ka lidhje me shumën e parave që i ka vënë në dispozicion Ministria e Financave për vitin 2012. Në kohën që studioja vjeneze ka kërkuar 11 milionë euro, Kuvendi ka në dispozicion për këtë gjë vetëm 5 milionë dollarë. Kaq mundi t’i shkëpusë Ministrisë së Financave për buxhetin e ardhshëm, megjithëse kërkesat ishin shumë të larta, për afro 40 milionë dollarë. Kështu, në një projekt të detajuar për kërkesat që kishte Kuvendi dhe që ia drejtoi Ministrisë së Financave, kërkonte 4 miliardë lekë të reja. Shumë kjo që detajohej në dy zëra: në Projekt-parlamentin e ri (projekti i zbatimit) dhe në ndërtimin e parlamentit të ri. Për zërin e parë, pra për zbatimin e projektit teknik, Kuvendi në projektbuxhet kërkon nga Ministria e Financave 1.2 miliardë lekë të reja, ndërsa për zërin e dytë, atë të ndërtimit të parlamentit, kërkon 2.8 miliardë lekë të reja. Në total, 4 miliardë lekë. Në këtë mënyrë, për vitin e ardhshëm drejtuesit e këtij institucioni parashikonin që të nisnin nga zbatimi në praktikë i projektit, pra duke filluar së pari me prishjen e Piramidës, krijimin në vend të saj të sheshit të ndërtimit dhe më pas në varësi të fondeve që ka në dispozicion edhe të fillimit të ndërtimit të godinës. Duhet theksuar se shuma e kërkuar për kompleksin e ri parlamentar përbënte 4/5-at e gjithë buxhetit të kërkuar në total nga ky institucion për vitin e ardhshëm. Por duket se kërkesa e Kuvendit për 40 milionë dollarë në këtë periudhë krize financiare është konsideruar një luks nga Ministria e Financave, e cila pas negociatash arriti t’i japë vetëm rreth 5 milionë dollarë, plus buxhetit tjetër të përvitshëm për funksionimin e institucionit të Kuvendit.

70 000 euro ishte çmimi që dha Kuvendi për projektin e klasifikuar në vendin e parë

35 000 euro ishte çmimi që dha Kuvendi për projektin e klasifikuar në vendin e dytë

20 000 euro ishte çmimi për vendin e tretë, ndërkohë që të gjitha studiot e tjera u rimbursuan për shpenzimet që kryen

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›