E Diel, 1 Nëntor 2026

Parlamenti i ri në ngërç, projekti fitues kërkon 11 mln euro

SHKRUAN: Fejzi Braushi 27-11-2011 10:47

Rrezikohet projekti i shpallur fitues i kompleksit të ri parlamentar, pasi studioja vjeneze që fitoi vendin e parë i ka dërguar një faturë të kripur prej 11 milionë eurosh Kuvendit të Shqipërisë. Merren në shqyrtim ofertat e projekteve që zunë vendin e dytë dhe të tretë

Një vit nga 100-vjetori i shpalljes së Pavarësisë, i përcaktuar si afati fundor i përurimit të godinës së re të parlamentit, Kuvendi jo vetëm që s’ka nisur punimet në terren, por tashmë rrezikon që të humbasë edhe projektin fitues të studios vjeneze. Nuk përjashtohet mundësia që kompleksi i shumëpërfolur i Kuvendit të ri të mos ndërtohet tashmë sipas projektit fitues të studios austriake “COOPHIMELB (L) AU”, por sipas projektit të dytë apo të tretë, respektivisht atij të studios italiane apo asaj pariziene. Një fakt i tillë konfirmohet nga burime të Kuvendit, të cilat kanë bërë të ditur se ky institucion është duke menduar një tërheqje të mundshme nga projekti austriak, për të mbështetur një nga dy projektet e tjera që u renditën nga juria ndërkombëtare në tri vendet e para. Shkak për këtë “divorc” mes Kuvendit dhe studios austriake “Coophimelb” mësohet se po bëhet pikërisht përqindja shumë e lartë që kjo studio ka kërkuar për realizimin e projektit të zbatimit të maketit që ajo vetë paraqiti në konkurs. Bëhet fjalë për një kërkesë prej 11 për qind të të gjithë vlerës së ndërtimit të projektit fitues, çka me përafërsi shkon në një shumë prej 11 milionë eurosh.

Mosmarrëveshjet

Situata e pafavorshme financiare dhe ngurrimi i Ministrisë së Financave për t’i dhënë Kuvendit shumën e kërkuar për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar, ka detyruar këtë të fundit që të jetë tepër i matur në shpenzimet për këtë qëllim. Ndaj, në pamundësi për të siguruar shumën prej 11 milionë dollarësh të kërkuar për fazën e projektit të zbatimit, Kuvendi ka vendosur që të mos e konsiderojë si të përfunduar çështjen e projektit fitues. Për të përcaktuar studion dhe projektin që do të zbatohet për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar, pritet të merren në shqyrtim kërkesat financiare që kanë secila prej tri studiove të renditura të parat, për të kthyer projekt-idenë e paraqitur në projekt-zbatim. Çdo gjë është vënë në diskutim si pasojë e kërkesës tepër të lartë prej 11 për qind të vlerës totale të ndërtimit të projektit, që studioja austriake “COOPHIMELB (L) AU” ka kërkuar për ta kthyer projekt-idenë e saj në projekt-zbatim. Duke pasur parasysh që vlera e përllogaritur e ndërtimit të kompleksit të ri parlamentar, sipas projekt-idesë së studios vjeneze shkon mbi 100 milionë euro, atëherë shuma që kjo studio kërkon për të bërë projekt-zbatimin i kalon shifrat e 11 milionë eurove. Për këtë arsye, mësohet se Kuvendi po sheh me interes edhe ofertat e sjella nga dy studiot e tjera, të renditura nga konkursi në vendin e dytë dhe të tretë. Pra bëhet fjalë për studion italiane që në konkurs u paraqit me projektin e koduar “Knit T” dhe studion pariziene, me projektin e koduar me numër “10345 N”. Studioja italiane mësohet se ka paraqitur një ofertë më të arsyeshme për buxhetin e Kuvendit, ndërsa ajo pariziene i afrohet ofertës së kripur, të paraqitur nga austriakët.

Rregullorja

Në bazë të rregullores së ndërtimit të kompleksit të ri parlamentar, të miratuar nga Kuvendi, studioja e projektit fitues fillon tratativat për lidhjen e kontratës me investitorin, Kuvendin e Shqipërisë, për hartimin e projektit në të gjitha fazat e tij, si dhe paraqitjen në instancat përkatëse për miratimin, si dhe supervizionin e punimeve të ndërtimit të objektit. Në rast se, për arsye të ndryshme palët nuk bien dakord për lidhjen e kontratës, investitorit i lind e drejta të përcaktojë një nga studiot e tjera konkurruese, me të cilën do të lidhet kontrata për zhvillimin e projektit. Pikërisht këtë të drejtë duket se po shfrytëzon Kuvendi, i cili nuk ka vendosur ende për dilemën nëse duhet të lidhë kontratën me studion vjeneze, apo me një nga dy studiot e tjera.

Kompleksi parlamentar, si u

shpall fituese firma vjeneze

Një vit më parë, Kuvendi hapi konkursin ndërkombëtar për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar, duke u çuar ftesa për pjesëmarrje më shumë se 20 studiove më të njohura arkitekturore botërore. Pas disa javësh, interes për këtë konkurs shfaqën rreth 12 prej tyre, të cilat pasi u njohën me kërkesën hartuan dhe projekt-idetë përkatëse. Ndërkohë për vlerësimin e tyre u krijua një juri ndërkombëtare e përbërë Johannes Ibelings, kryetar, autoritet në fushën e kritikës së arkitekturës, historian arti dhe botues i shumë veprave, Imad Hassan, Mario Struzzi, Agron Lufi, Florian Nepravishta. Moketet e paraqitura nga studiot u ekspozuan nga Kuvendi edhe për publikun, i cili kishte një rol jo të pakët në vlerësimin përfundimtar të secilit prej tyre. Pas dhjetë ditësh ekspozim juria ndërkombëtare shpalli në mesin e marsit të shkuar projektin fitues për kompleksin e ri parlamentar që do të ndërtohet në vend të Piramidës. Studioja austriake “Coophimelb” mori maksimumin e votave nga 12 projektet e pranishme, duke u vlerësuar si projekti më i mirë si nga juria, ashtu dhe nga publiku që votoi në formë elektronike nga faqja e Kuvendit. Ky projekt u vlerësua maksimalisht nga kryetari i jurisë, arkitekti holandez, Johannes Ibelings, i cili duke folur për konkursin në atë kohë, do të shprehej se “është bërë një diskutim i hollësishëm mbi cilësinë arkitekturore dhe urbanistike, duke përfshirë të gjitha aspektet, nga qëndrueshmëria, te kostot e projektuara, se cili do të ishte përfaqësimi i duhur i demokracisë shqiptare në qendër të kryeqytetit, duke i shtuar vlera cilësisë së qytetit që të jetë i hapur për publikun dhe që të mund të funksionojë si simbol”. Ndërsa vetë kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, teksa do falenderonte jurinë për punën e bërë, do të shprehej se “jam shumë e kënaqur, sepse me këtë projekt që ju keni zgjedhur, kemi bërë të mundur që shqiptarët të kenë shtëpinë e tyre dhe do të jetë një shtëpi dinjitoze. Tirana do të ketë një monument dhe një vepër arti, e cila do të lërë shenjë në kujtesën e çdo vizitori që do të kalojë në Shqipëri”. Juria ndërkombëtare shpalli në vend të dytë projektin italian, të koduar “Knit”, ndërsa çmimi për vendin e tretë iu dorëzua projektit francez të koduar “10345 N”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›